Arbëri

Qeveria vendos masat e reja anti-Covid

Pas shtimit të shumë rasteve të reja me COVID-19, Qeveria e Kosovës ka vendosur për masa të reja në luftën ndaj koronavirusit.

Masat e reja janë marrë pas rritjes së ndjeshme të rasteve të reja dhe të vdekjeve në ditët e fundit. Të shtunën e 4 korrikut u regjistruan 178 raste të reja, duke shënuar ditën rekord. Të dielën u regjistruan 152 raste të reja. Në vetëm këto dy ditë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka regjistruar 17 vdekje në raportin zyrtar.

Në mbledhjen elektronike të mbajtur të dielën, Qeveria ka vendosur se duhet të rriten kapacitetet me shtretër dhe pajisje mjekësore në klinika për të trajtuar rastet e prekura me COVID-19. Në njoftimin e Qeverisë theksohet se në këtë pikë duhet të bëhet riorganizimi i klinikave duke krijuar shtretër dhe hapësira shtesë, duhet të krijohen kapacitete shtesë në spitalet rajonale e të krijohen kapacitete shtesë edhe në institucionet private.

Sa i përket personelit, Qeveria ka vendosur që duhet të ketë riorganizim të personelit shëndetësor, të mobilizohen edhe profesionistët që s’janë të angazhuar momentalisht e të shtohen kapacitetet në mikrobiologji, infektologji e shërbime të tjera direkt me rastet COVID-19.

Sipas njoftimit nga Qeveria, obligohet MSH-ja dhe institucionet kompetente shëndetësore të ndërmarrin veprime të menjëhershme dhe nevojshme për të realizuar testimet virologjike, duke përmendur krijimin e kapaciteteve të reja testuese nëpër regjione, licencimin e institucioneve private shëndetësore për të kryer testimet, si dhe prioritetizimin e testimit të personave më në nevojë. Vendimi obligon MSH-në të ndajë buxhetin për blerjen deri në 100 mijë teste virologjike dhe 500 mijë vaksina për gripin sezonal. Po ashtu është theksuar se duhet të bëhen porositë e nevojshme për vaksinën eventuale kundër koronavirusit. Është vendosur edhe për blerjen e shtatë aparateve për testim e terapive specifike për trajtimin e të prekurve me koronavirus.

Njoftimi thekson se MSH-ja është e obliguar të ndajë buxhetin edhe për angazhimin e personelit shëndetësor shtesë, për pajisjet mbrojtëse për personelin shëndetësor dhe për pagesën shtesë për angazhimin shtesë të personelit shëndetësor.

Nga data 6 korrik 2020, duke filluar nga ora 21:00 deri në orën 05:00, ndalohet çfarëdo qarkullimi i personave fizikë jashtë shtëpive/banesave të tyre në: Prishtinë, Ferizaj, Prizren dhe Vushtrri. Përjashtim bëjnë rastet urgjente shëndetësore; ato kur ka nevojë për kujdes për të sëmurë, për persona me nevoja të veçanta, vetëm nëse të sëmurët apo personat me nevoja të veçanta nuk kanë mundësi të kujdesen për vetveten; në rast të kërkimit të ndihmës nga institucionet përkatëse, siç është rasti me viktimat e dhunës familjare; në rast të vdekjes së anëtarit të familjes; në rast të paraqitjes së nevojave për dalje jashtë shtëpisë/banesës për nevojat fiziologjike të kafshëve, por jo më larg se 500 metra nga banesa/shtëpia (nuk lejohet shfrytëzimi i këtyre rasteve për të kryer ndonjë punë tjetër ose për ndonjë qëllim tjetër përveç atij të përcaktuar).

Nga e hëna e 6 korrikut, gastronomisë i ndalohet funksionimi nga ora 21:00 deri në 05:00 në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Jashtë këtij orari mund të punohet vetëm në hapësira të hapura, me distancë 1.5 metra mes tavolinave, dhe me shërbime “merre me vete”. 

Sipas njoftimit nga Qeveria, të gjitha inspektoratet do të vihen në dispozicion për të mbikëqyrur zbatimin e masave.

Vendimi obligon që edhe ofruesit e transportit publikë të punojnë me përgjysmim të kapaciteteve të tyre sa i përket numrit të udhëtarëve që bartin për të lejuar hapësirën e nevojshme për çdo udhëtar.

Institucionet publike dhe private duhet të reduktojnë numrin e të punësuarve vetëm në nivel të stafit të domosdoshëm.

Kërkohet nga të gjitha komunat t'i riaktivizojnë plotësisht shtabet e tyre lokale.

Në këtë mbledhje, Qeveria ka miratuar edhe kërkesën e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural që të ndajë mjete financiare ne vlerë 1,867,107 euro për kompensimin e dëmeve të shkaktuara në ekonomitë bujqësore nga fatkeqësitë elementare natyrore gjatë periudhës janar-qershor 2020, në komunat e: Istogut, Pejës, Obiliqit, Vitisë, Kaçanikut, Mitrovicës, Prishtinës, Drenasit, Skenderajt, Prizrenit, Fushë Kosovës, Shtimes, Podujevës, Mamushës, Leposaviqit dhe Gjilanit.

Është miratuar edhe vendimi për plotësim-ndryshim të vendimit të 23 qershorit për rifillimin e fluturimeve në Aeroportin e Prishtinës.

“Me plotësimet dhe ndryshimet e miratuara fluturimet në ANP “Adem Jashari” do të organizohen në intervale prej minimum 45 minutave ndërmjet aterrimeve. Menaxhimi i orareve të bëhet duke respektuar aplikimin e Rregullores Nr. 2008/6 Mbi Rregullat e Përbashkëta Për Alokimin e Slloteve në Aeroportet e Vendosura në Kosovë dhe rregullave të IATA (Worldwide Slot Guidelines, 10th Edition), Aeroplanët ad-hoc taxi nuk i nënshtrohen këtij rregulli. Vendimi hyn në fuqi nga data 9 korrik 2020”, thuhet në njoftim.

Komunikata thekson se me hyrjen në fuqi të këtij vendimi shfuqizohet çdo dispozitë e mëhershme që bie në kundërshtim me dispozitat e tij.