Thirrjes së kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veselit, duket se s’do t’i përmbahet Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, thotë se “s’do ta rrezikojnë jetën e qytetarëve”, me protestën e paralajmëruar më 9 korrik.
“Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vepron në bazë të vendimeve që i merr Këshilli Drejtues dhe kryesia e saj, lidhur me protestën e paralajmëruar me 9 korrik në Prishtinë në ora 12:00, ne do të veprojmë siç është me së miri dhe me së drejti duke i dalur në mbrojtje gjithmonë ish-ushtarëve të UÇK-së, nuk do të rrezikojmë jetën e asnjë qytetari, shëndeti i qytetarëve është mbi të gjitha, OVL e UÇK-së i ka strukturat e saj që vendosin se si të veprojë!”, ka shkruar Gucati.
Përmes një videoje në Facebook, Veseli ka falënderuar bashkëluftëtarët për mbështetje, teksa ka thënë se në kohë pandemisë shqetësimi është për jetën e qytetarëve.
“Nuk dua që për jetën time të rrezikohet asnjë jetë. Sepse, ky edhe ishte qëllimi i luftës sonë. Të jetojmë të lirë, pa u rrezikuar asnjë jetë. Jeta e secilit vlen. Prandaj, me mirëkuptimin më të madh, dhe kërkesën më të sinqertë, i lus bashkëluftëtarët e mi dhe të gjithë qytetarët që ta anulojnë këtë protestë”, ka thënë ndër tjerash ai.