Arbëri

Komisioni i Ndihmës Shtetërore evidenton shkelje nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik

Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ambientit (MZHEA) ka nisur të bëjë pagesa për një skemë në kundërshtim me ligjin. Kështu të paktën ka vlerësuar Komisioni i Ndihmës Shtetërore, që ka mbajtur një takim të rregullt të premten.

Ky komision ka marrë vendim rreth skemës së ndihmës shtetërore për “Projektin për Ekonominë Digjitale të Kosovës, financimi i lidhshmërisë digjitale”. Paratë për këtë projekt janë siguruar nga një kredi që Qeveria e Kosovës e ka pranuar nga Banka Botërore, kurse ndihmën e jep MZHEA.

Bëhet fjalë për një projekt prej 11,8 milionë euro, që është planifikuar për vitet 2019 – 2023. Do të sigurohet shtrirja e infrastrukturës së telekomunikacionit në 266 vendbanime, në zona rurale dhe të largëta.

“Komisioni ka konstatuar që skema ka filluar së zbatuari (viti i parë, 2019) në kundërshtim me nenin 3 të Ligjit të Ndihmës Shtetërore, duke qenë se një pjesë nga shuma e përgjithshme e kësaj skeme të ndihmës, ose 11,5 për qind e saj, i është paguar përfituesve, pa qenë e njoftuar dhe pa pasur autorizim nga Komisioni i Ndihmës Shtetërore”, thuhet në një komunikatë të Komisionit për Ndihmë Shtetërore.

Ky komision konsideron se shmangia e obligimit ligjor ka vënë në rrezik të gjithë përfituesit e skemës, duke i vënë ata në pozitë që të kthejnë ndihmën e pranuar Qeverisë së Kosovës, shtuar këtu edhe normën e interesit. Komisioni ka vlerësuar se të gjitha kompanitë përfituese të kësaj skeme nga prilli 2019, kanë pranuar ndihmë të kundërligjshme.

“Komisioni si përfundim ka vendosur se MZHEA ka paguar përfituesit e ndihmës, për vitin e parë (2019) të zbatimit të skemës për shtrirjen e infrastrukturës së telekomunikacioni me qëllim të rritjes së qasjes në internet, në kundërshtim me nenin 3 të Ligjit për ndihmë shtetërore. Megjithatë duke u bazuar në vlerësimin e skemës së pranuar, ka vendosur të mos ngrejë kundërshtime, marrë parasysh se skema e ndihmës së njoftuar është në përputhshmëri me Ligjin e ndihmës shtetërore në vend dhe rregulloren e aplikueshme të BE-së”, thuhet në njoftim.