Arbëri

Kerveshi kërkon vetting të shpejtë, Shala monitorim të përhershëm

Avokati Kujtim Kerveshi në emisionin Desku në KTV ka thënë se është një nevojë e jashtëzakonshme që në Kosovë të ketë vetting në sistemin e drejtësisë.

“Realiteti në sistemin e drejtësisë, kur nisin hetimet, prej fazave të para nis njëlloj shtangimi i sistemit. Policia grumbullon diçka, prokuroria thotë ka diçka, pastaj ia dërgon Gjykatës, ajo thotë se hajt e rregullon Apeli. Prej shkallës së parë, kur x-y është liruar nga akuza, i njëjti është gjykuar në gjykatën e Apelit. Në sistemin tonë të drejtësisë, jo pse jam anëtar i një grupi për vetting, detyrimisht duhet me thënë se këto situata shpërfaqën nevojën e jashtëzakonshme për vetting në Kosovë. Nuk jemi të verbër, prej zinxhirëve policorë, çështjeve që pëcillen deri te mungesa e një guximi, Kosova megjithatë nuk ka një sistem aq të ri saqë mund të ketë aso shkarje”, ka thënë Kerveshi. “Ne kemi dy Këshilla, atë Gjyqësor dhe Prokurorial, mund të ju them se në sistemin tonë të drejtësisë cilësia rrallë herë shpërfaqet me meritat që duhet me e konkretizuar avancimin e dikujt. Janë disa gjyqtarë që janë shumë profesional. Gjykata e Apelit e ka lehtësuar njëlloj game të shumë çështjeve që patën mbetur peng. Ne kemi kaq shumë vështirësi, po flas për Prokurorinë. Për rastin Pronto duhet të vlerësohet puna e Prokurorisë”.

Duke folur për “Rastin Pronto”, Kerveshi ka thënë se Prokuroria ka pasur një strategji, që ka dashtë të fitojë opinionin publik dhe me e nxjerrë Gjykatën para një gjykimi popullor, “me thanë që këtë listën e qitjes duhet me qenë Gjykata sepse nuk po i dënojnë këta që po kërkojmë t’i dënojmë”.

Sipas tij, Kosova është pothuajse në një sistem të bllokuar.

“Kemi pas hyrë në atë proces të vettingut, për tre vite e gjysmë nuk ka qenë i organizuar provimi i jurispodencës. Ne gati jemi në sistem të bllokuar. Nëse ne presim një proces ligjor prej 10 viteve të përfundojë, ajo është e drejtë e mohuar. Realiteti është se kemi nevojë për një proces të shpejtë që e kthen edhe besimin edhe rimëkëmbjen. Ky proces të jeni të bindur, nuk është proces i drejtuar ndaj dikujt, kurrë nuk do të kisha lejuar që dikush gjyqësorin me e futë në kthetra politike. Procesi i vettingut as nuk nis me dikë as nuk përfundon me dikë”, ka thënë Kerveshi.

Tutje ai ka thënë se nuk do të lejohet që një proces i tillë të futet në kthetrat e politikës.

“Të lejojmë një proces që futet në kthetra politike nuk mundet me ndodhë. Porse kemi nevojë të ndryshojmë sistemin e vlerësimit. Duhet të tejkalojmë këto çështje personale. Ndihem keq kur në anën e kundërt e shoh një brishtësi aq të madhe profesionale”, shprehet ai.

Kurse kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, konsideron se çështja e vettingut është tejet e politizuar.

“Kjo për vetë faktin se në programin e Qeverisë është thënë se do të veprohet në dekriminalizimin e drejtësisë. Ku është i kriminalizuar sistemi, ne mund të kemi individë por se kemi sistemin të kriminalizuar. Në krejt botën gjyqtarët korruptohen. Vettingu total ka dështuar në Shqipëri”, ka thënë ai.

Ai thotë se është pro vettingut, por jo me komisione të politizuara.

“Po vetting, por jo me komisione të politizuara si ky që ka qenë. Nuk mundet që politika të ndërhyjë në sistemin gjyqësor. I ke një grup njerëzish që derisa kanë qenë nën EULEX-in nuk e kanë ngritur zërin. Për mua kanë qenë gjysma e më shumë që kanë qenë të dyshimtë. Edhe Kujtimi është i dyshimtë, sepse gjithnjë ka qenë në konflikt me gjyqtarët”, ka thënë Shala.

Më pas i ka ndërhyrë Kerveshi duke thënë se “ne si grup nuk e bëjmë vettingun". 

"Jam i bindur substancialisht ka pas një keqkuptim aq të madh që kanë menduar edhe zyrtarët e KPK-së dhe kur më kanë parë mua si Kujtim më kanë parë si një njeri që unë kam me e bë vettingun e gjyqtarëve, nuk është e vërtet. Mandati jonë ka qenë dhe mbetet me i trasuar disa opsione të cilat ne ia servojmë organeve përgjegjëse që munden me thënë se në mesin e opsioneve është opsioni ligjërisht që e vlerësojmë është i pari, dyti apo i treti. Vlerësimin e bën ekzekutivi sepse duhet me e përgatitë një projekt akt”.

Më pas Shala ka thënë se është për vetting të përhershëm e jo për vetting politik.

“Idenë time e përkrahin edhe amerikanët. Grupet që po dalin, si Kujtimi e të tjerë, që dalin për vetting kanë për qëllim të shfrytëzojnë disa donacione”, ka thënë Shala, i cili ka shtuar se Britania ka ndarë 8 milionë euro.

Kerveshi, ka mohuar se kanë donacione dhe se komisioni është i politizuar.

Ai ka thënë se ish-ministren Albulena Haxhiu për herë të parë e ka takuar në zyrën e saj, derisa ka theksuar se kushtet e tij për të hyrë në këtë proces kanë qenë që vettingu të mos politizohet, dhe nuk ka pas tendenca për të politizuar.

“Për mua ka qenë edhe kushti pa të cilin nuk bën që kjo punë të bëhet për atdheun tim pa pagesë”, ka thënë Kerveshi.

Shala ka shpalosur idenë e tij rreth vettingut.

"Ideja ime është që në kuadër të Këshillit Gjyqësor, aty i kemi dy komisione, që ato të jenë të përhershme që gjithmonë ta përcjellin gjyqtarin. Ky është Komisioni Disiplinor dhe Komisioni për Performancë”, ka thënë Shala.

Por, këtë ide të Shalës e ka kundërshtuar gazetarja Saranda Ramaj, e cila thotë se, “do të thotë se jeni kundër vettingut, sepse kjo nuk është vettingu. Vettingu e sheh një gjë shumë të rëndësishme – jo prej sot e tutje, por prej dje e më herët. Dhe për këtë një pjesë e gjyqtarëve, prokurorëve dhe policëve, sidomos të krimeve ekonomike i frikësohen këtij procesi”.

Ramaj tutje ka shtuar se pse do të duhej t’i pengonte Hasan Shalës vettingu nëse ai nuk ka çfarë t’i frikësohet vendimeve, “sepse nëse nuk gaboj i rishikohen vendimet secilit”.

Kurse Kerveshi ka thënë se këtu është rasti ku ndahet ai me të tjerët.

“Vendi jonë nuk e ka kohën e as luksin, sepse kemi pritur 15 vjet. Ne kemi marrë mësime prej vendeve të tjera se si më e bërë sa më funksionale këtë temë. Nëse kemi luksin me prit edhe 15 vite, besoj se ky nuk është luksi as i imi, as i bijave të mia që ndoshta bëhen avokate. Fatkeqësia është se nuk po mundemi me gjetë, ne e kemi pasur të kontestuar procesin e zgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit. Është i vetmi proces kur ne si vendorë kemi dështuar në një proces ku kushtetushmërisht ka qenë i atakuar”, ka thënë Kerveshi.

Më pas Shala ka thënë se në sistemin gjyqësor sot afër 50 për qind e gjyqtarëve nuk i kanë pesë vjet përvojë pune.

“Jemi duke i përgatit gjyqtarët. Brenda dy vjete kemi pranuar afër 150 gjyqtarë, ata të paktën duhet të bëjnë pesë vjet përvojë”, ka thënë Shala, i cili ka shtuar se ka me pas rezistencë nëse ndërhynë politika.