Arbëri

Dështon takimi i Washingtonit, planifikonte të përfshihej edhe Shqipëria

Foto: Alban Bujari/ Koha Ditore

Publikimi i aktakuzës ndaj presidentit Hashim Thaçi e ka dështuar takimin e planifikuar të mbahet në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor. Pas presidentit, i cili e njoftoi emisarin amerikan Richard Grenell se nuk do të jetë pjesë e takimit, pjesëmarrjen e ka anuluar edhe kryeministri Avdullah Hoti me arsyen se i duhet ta menaxhojë situatën në vend pas njoftimit se të akuzuarit e parë mund të jenë Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Aktakuza duhet të konfirmohet nga një gjyqtar i procedurës paraprake pranë Dhomave të Specializuara. E presidenti Thaçi ka vazhduar heshtjen.

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi ka thënë se e mirëkupton vendimin e kryeministrit Avdullah Hoti për anulim e pjesëmarrjes në takimin e planifikuar për 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë.

“Faleminderit kryeministri Hoti. E kuptojmë vendimin tuaj dhe presim të ricaktojmë takimin së shpejti”, ka shkruar Grenell në “Twitter”, si përgjigje e postimit të Hotit ku kishte shkruar se “për shkak të zhvillimeve në Prishtinë i duhet të kthehet në vend që të merret me situatën”.

Në anën tjetër, zyrtarë nga Beogradi kanë thënë se takimi u anulua pas konsultave të presidentit Vuçiq me emisarin amerikan, shkruan KOHA Ditore.

Hoti planifikonte të udhëtonte për në ShBA pas vizitës së parë zyrtare në Bruksel.

Me gjithë anulimin e takimit, Hoti ka thënë nga Brukseli se dialogu nuk ndalet dhe se nuk ka alternativë.

E shefi partiak i Hotit, Isa Mustafa, e ka arsyetuar anulimin e takimit në Washington duke thënë se rinisjes së negociatave duhet t’i paraprijë një takim mes të gjithë liderëve.

“Për në Washington u nis delegacioni shtetëror i Kosovës me vullnetin më të mirë, por u nda përgjysmë sa ishte në aeroplan. Në Washington shkohet me përkrahje të partive të koalicionit dhe të opozitës, sikurse edhe të të gjitha institucioneve shtetërore, jo vetëm me bindjen se kush duhet t’i prijë delegacionit”, ka shkruar kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.