Arbëri

Specialja godet Thaçin e Veselin, prish takimin e Washingtonit

Foto: Alban Bujari / KOHA

Presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, janë të akuzuarit e parë nga Gjykata Speciale me seli në Hagë. Dy protagonistët më me peshë në luftën e fundit - Thaçi si drejtor politik i UÇK-së, e Veseli edhe si pjesëtar i saj, e edhe si shef i Shërbimit Informativ (SHIK) - akuzohen për 100 vrasje ku përfshihen viktima shqiptarë, serbë, romë dhe kundërshtarë politikë.

Në njoftimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar theksohet se më 24 prill të këtij viti është deponuar pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte, ndër të cilat: vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

“Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë. Aktakuza është vetëm një padi penale, e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e ZPS-së se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm. Një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat”, thuhet në komunikatë.

Prokurori i Specializuar e ka gjykuar të domosdoshme nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të, siç thuhet, përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së Dhomave të Specializuara.

“Besohet se z.Thaçi dhe z.Veseli kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e Ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë. Nëpërmjet këtyre veprimeve, z.Thaçi dhe z.Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës”, thuhet në njoftim.