1 perditesime
21:43

Bajrami: Deri në fund të javës përfundojnë verifikimet e aplikimeve për përfitime nga Pakoja Emergjente

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka thënë se deri në fund të javës, komisioni që merret me aplikimet për të përfituar nga Pakoja Emergjente, do të përfundojë me verifikimet e të gjitha kërkesave.

Në një postim në Facebook, Bajrami ka thënë se gjatë verifikimeve janë duke u konstatuar parregullsi gjatë aplikimit.

Ajo ka thënë se nesër do të përfundohet me verifikimin e kërkesave për kompensim të qirasë, e deri në fund të javës do të bëhet validimi final i masës për pagën prej 170 eurosh për punëtorët e bizneseve të prekura nga pandemia, qirasë 50 për qind, pagesën shtesë prej 100 euro për punëtorët e dyqaneve ushqimore, furrave dhe barnatoreve, pagesën e asistencës mujore në vlerë prej 130 eurosh dhe mbështetjen financiare për shoqëritë tregtare që regjistrojnë punëtorët me kontratë pune së paku njëvjeçare gjatë periudhës së emergjencës së shëndetit publik nga 130 euro.

Tutje ajo ka thënë se lista e përfituesve të pagesës së asistencës mujore në vlerë prej 130 eurosh për qytetarët me kushte të rënda sociale të lajmëruar si të papunë janë në finalizim dhe së shpejti pritet ekzekutimi nga Thesari.

“Ministria e Financave siguron qytetarët e Kosovës që do të vazhdoj me implementimin e masave të pakos dhe se ekzekutimi i pagesave do të intensifikohet pas miratimit në Kuvend të buxhetit të rishikuar për vitin 2020”, ka përfunduar ajo.

18:15

Shteti ua paguan gjysmën e qirasë 3600 bizneseve, drejt finalizimit edhe 4200

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se sot është realizuar pagesa për masën 3b të Pakos Emergjente, atë të subvencionimit të qirasë deri 50 për qind për 3599 përfitues.

Sipas një njoftimi nga Bajrami, vlera e këtij subvencionimi ka arritur në 634 mijë euro. Ajo ka thënë se në proces të finalizimit janë edhe 4193 përfitues të tjerë, në vlerë totale prej një milion e 354 mijë euro.

Bajrami po ashtu ka thënë se sot është bërë edhe pagesa për skemat pensionale dhe sociale për muajin qershor për 289613 përfitues.

“Pagesa e muajit Qershor përfshin edhe zbatimin e masës dy (2) për përfitimin e shtesës prej 30 Euro për kategoritë e caktuara si dhe pagesën për të ri-kthyerit përkohësisht në listat e përfituesve, të paraparë me pakon emergjente fiskale, me ç’rast është përmbyllur edhe ekzekutimi i kësaj mase të pakos emergjente”, ka shkruar Bajrami në Facebook.