00:08

Uka: Thaçi s’mund t’i shtyjë në pafundësi zgjedhjet në Podujevë

Deputeti Fitim Uka ka thënë se nuk ka asnjë lloj angazhimi nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për mbajtjen e zgjedhjeve në Podujevë.

Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se të njëjtin nuk e pati edhe për zgjedhjet e Serbisë në Kosovë.

Uka ka thënë se për këtë i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke shtuar se presin nga ajo një vendim të drejtë.

“Presidenti nuk e ka të drejtën t’i shtyjë në pakufi zgjedhjet, qoftë në nivelin qendror apo lokal. Në veçanti në nivelin lokal, zgjedhjet që do të duhej të mbaheshin në Besianë jo vetëm që janë anuluar por duket se nuk ka asnjë lloj angazhimi të presidentit tonë për zgjedhje të tilla. Por ka një mikpritje të jashtëzakonshme të kërkesave për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Është krejt e pakuptime që të mos mbahen në Besianë”, ka thënë ai.

Përveç zgjedhjeve, Uka ka përmendur edhe rastin e deputetit Etem Arifi.

“Prandaj ne e kemi dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Kemi edhe një lëndë për deputetin Etem Arifi, janë dy raste që presim nga Kushtetuesja të marrë vendim të drejtë, ani pse jemi të frustruar”, ka thënë ai.

00:00

Uka: Lufta politike në kohë të pandemisë u vendos në rend të parë

Deputeti Vetëvendosjes, Fitim Uka, ka thënë duhet më shumë kujdes në mënyrë që të mos mbingarkohet sistemi shëndetësor.

Sipas tij duhet të ketë angazhim konkret që të mos lejohet mbingarkesa e institucioneve.

Uka thotë se mungesa e komunikimit të hapur e rikthen situatën në prognoza se çfarë do të ndodhë.

Për Projektligjin për menaxhim të situatës me COVID-19, ai ka thënë se nga LDK-ja lufta politike u vendos në rend të parë.

Sipas tij, ata refuzuan kategorikisht të shtyhet përpara ky ligj, vetëm pse u propozua nga dikush tjetër.

“Ky kryeministër është në të njëjtin subjekt politik me kryeparlamentaren e cila ka iniciuar dhe ka gjetur mbështetjen në iniciativën ligjore të VV-së. Lufta politike në kohë të pandemisë u vendos në rend të parë. Zgjodhën që të refuzojnë kategorisht të shtyhet përpara ligji për luftimin e Covid-19, vetëm për faktin se ajo kishte autor dikë tjetër. Ne do ta përkrahnim këtë iniciativë edhe nëse do vinte nga ndonjë anëtarë tjetër”, ka thënë ai.

Sipas tij, vetëm për inate politike u vendos që ky ligj të mos miratohej.

Uka ka thënë se edhe në Komisionin për Shëndetësi ka politikë, ndonëse sipas tij ishte thënë në fillim që nuk do të kishte.

Anëtari i Komisionit për Shëndetësi ka thënë se mënyra më e mirë për të dalë nga situata me COVID-19 do të ishte të vazhdonte punën ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Uka shprehet se po të respektohej hapja graduale e komunikimi profesional, situata do të ishte ndryshe.

Ai thotë se duhet një skanim i mirëfilltë i situatës në terren.

23:49

Uka: Hapja s’duhej të ishte e menjëhershme, por graduale

Fitim Uka, deputet i Vetëvendosjes dhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se hapja do të duhej të ishte graduale dhe jo e menjëhershme dhe në kundërshtim me rritjen e personave të prekur me COVID-19.

“Që nga fillimi i mandatit nga Qeveria ilegale, ne nuk kemi qenë vetëm kritikë, por edhe kemi ndihmuar aq sa jemi dëgjuar, që ka qenë shumë pak. Për herë të parë ndodh që lirimi i masave ndodh në kontradiktë të plotë me gjendjen faktike. Derisa shihnim se ka rritje të numrit me COVID-19 në anën tjetër kishte një veprim të këtij ministri dhe kësaj Qeverie që të lirojë masat, kjo për neve ka qenë e pakuptueshme, prandaj edhe e kemi ngritur zërin në komision”, ka thënë Uka.

Ai tutje ka thënë se nëse lexohen me kujdes fazat e Qeverisë Kurti ishte paraparë edhe fakti se mund të kthehet prapa edhe nga faza e dytë në të parën, nëse ka rritje të shpejt të të infektuarve.

“Është shqetësues mesazhi që u dërgohet qytetarëve, pasi kemi deklarata kundërthënëse të Hotit dhe Zemajt. Hapja do të duhej të ishte graduale dhe përherë në përputhje të plotë nga numrat nga terreni dhe jo një e tillë ad-hoc. Më shqetësues është fakti se tashmë po përballemi me një numër konstant të rritjes së personave me COVID-19. Sot është gjashtëfishim i rasteve me COVID-19, janë numrat ata që determinojnë veprimet. Të paktën ajo çfarë kërkojmë është monitorim më i mirë i situatës në terren. Duhet të ketë veprim konkret. Duhet të ketë veprim institucional, kjo po mungon”, ka thënë Uka.

Ai ka kritikuar ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemajn, i cili kishte thënë se do të ketë testime masive.

“Rekomandimi i IKSHPK-së ishte që të testohen edhe kontaktet e kontakteve. Ministri kishte thënë se tani do të fillojnë testimet në mase, dhe tani na vjen lajmi se do të testohen vetëm të atyre që kanë gjendje të rëndë. Nuk po flasim për rritje të testimit por për një domosdoshmëri të testimeve dhe as kjo nuk bëhet, dhe sipas informatave që kemi ka vonesa të tejzgjatura të rezultateve. I gjithë ky shqetësim i imi është se mund të mbingarkojmë institucionet shëndetësore dhe që të mos marrin trajtimin e duhur ata që preken”, ka thënë Uka.