Arbëri

PDK-ja përkrah vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi në SHBA

Foto: Koha / ilustrim

Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se aty ku është SHBA-ja duhet të jetë edhe Kosova.

Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyqi, përmes një shkrimi në Facebook, ka dhënë qëndrimin e partisë së tij për takimin e paralajmëruar për 27 qershor në Washnigton ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Sa i përket ftesës për të vazhduar dialogun në Shtëpinë e Bardhë, qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës është i njohur dhe është bërë i ditur në vazhdimësi nga kryetari z. Kadri Veseli. Nuk ka asnjë ndryshim qëndrimi deri sot. Aty ku janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet të jetë Republika e Kosovës dhe institucionet ta përfaqësojnë vendin në mënyrën më të mirë. E kanë për detyrë t’i mbrojnë interesat e vendit dhe nuk duhet t’i ikin përgjegjësisë dhe bashkëpunimit me Amerikën sikurse veproi ish-qeveria Kurti”, ka shkruar Bytyqi.

Ftesën për takim në Washnigton, të bërë nga emisari special i SHBA-së për dialogun, Richard Grenell, e kanë pranuar dhe përshëndetur presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Avdullah Hoti.