Arbëri

Ambasadori çek shpreh gatishmërinë e vendit të tij për intensifikimin e raporteve me Kosovën

Prishtinë, 15 qershor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka pritur sot ambasadorin e Çekisë në Kosovë, Pavel Bilek, me të cilin bisedoi për marrëdhëniet bilaterale dhe zhvillimet aktuale politike në vend.

Pasi e ka falënderuar ambasadorin Bilek për mbështetjen e Çekisë dhënë Kosovës në të gjitha periudhat e shtetndërtimit dhe konsolidimit të saj, kryeministri Hoti në të njëjtën kohë ka shprehur gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve dhe avancimin e partneritetit në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.

Njëkohësisht, kryeministri Hoti e ka njoftuar ambasadorin Bilek me prioritetet e Qeverisë së tij duke vënë theksin tek masat që po ndërmerren me qëllim menaxhimin sa më të mirë të pandemisë COVID-19 si dhe fokusin në rimëkëmbjen ekonomike.

Nga ana e tij, ambasadori Bilek e ka falënderuar kryeministrin Hoti për pritjen dhe bashkëbisedimin për çështje të rëndësishme, duke i uruar suksese në punët dhe sfidat që e presin Qeverinë, ndërkohë që ka shprehur gatishmërinë e tij në intensifikimin e raporteve të mira në mes të dyja vendeve.