Arbëri

Shkaku i pandemisë të hyrat buxhetore janë ulur për 133 milionë euro, sipas GAP-it

Instituti GAP sot publikoi raportin “Ndikimi i pandemisë COVID-19 në buxhetin e Kosovës”, me ç’rast thotë se shkaku i pandemisë të hyrat buxhetore kanë pësuar ulje për 133 milionë euro, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

GAP-i thotë se qëllimi i këtij raporti është që të paraqesë ndikimin e krizës së shkaktuar nga pandemia COVID-19 në të hyrat, shpenzimet dhe deficitin fiskal të vitit 2020, si dhe kufizimet dhe mundësitë që ka Qeveria e Kosovës për adresimin e krizës në aspektin buxhetor.

“Në periudhën mars-maj 2020, kur ishin ndalur shumica e aktiviteteve në sektorin privat dhe atë publik në Kosovë për shkak të pandemisë COVID-19, të hyrat buxhetore ishin për 133 milionë euro (28.2%) më të ulëta së në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, ndërsa shpenzimet për 4.7 milionë euro (1%) më të ulëta. Rënia e të hyrave krahas rritjes së shpenzimeve, do të bëjë që për herë të parë të tejkalohet rregulla e deficitit buxhetor”, thuhet në komunikatë.

Por, me gjithë rritjen e deficitit, GAP-i thotë se Kosova pritet ta ketë nivelin më të ulët të borxhit publik në rajon.

“Edhe pse është planifikuar rritja e shpenzimeve, kategoria e investimeve kapitale si një kategori e cila ndihmon në rritje më të shpejt ekonomike, pritet të ketë një rënie të theksuar krahasuar me planifikimin. Ndërsa, kryesisht për shkak të nevojës për ndihmë ndaj sektorit privat, ka një rritje të theksuar të subvencioneve. Megjithëse e nevojshme, rritja e subvencioneve si një nga kategoritë më pak të rregulluara ligjërisht, mund të krijojë hapësirë për abuzim të parasë publike”, thuhet në komuikatë.

Tutje thuhet se për të adresuar situatën ekonomike dhe sociale të krijuar si pasojë e masave për ndaljen dhe kufizimin e punës së shumicës prej bizneseve në sektorin privat, Qeveria e Kosovës miratoi një Pako Emergjente Fiskale me vlerë prej 179.6 milionë euro. Kjo pako përmban kryesisht masa afatshkurta për adresimin e problemeve të shkaktuara nga COVID-19. Në programin qeverisës 2020-2023, Qeveria e Kosovës ka paraparë edhe një pako të dytë për Rimëkëmbje Ekonomike ku brenda dy vitesh (2020-2021) planifikon të mobilizojë rreth 1.2 miliardë euro.

Për shkak të kufizimeve ligjore, Pako Emergjente Fiskale dhe ajo e Rimëkëmbjes nuk do të mund të menaxhohen tërësisht pa përfshirjen e Kuvendit të Kosovës, sipas GAP-it.

“Përveç nevojës për aprovim të Kuvendit për çdo transfer që tejkalon 25% të një ndarje buxhetore të institucionit përkatës, përfshirja e Kuvendit do të nevojitet edhe për miratim të marrëveshjeve të reja kreditore me 2/3 e votave të deputetëve. Në rast të mosaprovimit të marrëveshjeve kreditore, shpenzimet publike do të bien dhe kjo do të ndikojë në rënie të mëtutjeshme ekonomike”, thotë GAP.

Raportin e plotë mund ta gjeni duke klikuar këtu.