6 perditesime
21:13

Beqaj thotë se me ndarjen e Kosovës Vuçiqi synon aleancë me shqiptarët në një shtet

Politologu Belul Beqaj, në emisionin “Desku” në KTV ka thënë se me ndarjen eventuale të Kosovës, Vuçiqi do të krijonte aleancë me shqiptarët dhe kjo do të nënkuptonte zhbërje të shtetit të Kosovës, pasi pjesa e mbetur do të bashkohej me Shqipërinë.

Sipas tij shkëmbimi territorial është precedent i rrezikshëm, derisa ka përmendur një deklaratë të Dodikut, i cili ka thënë se në pranverën e vitit të ardhshëm nuk do të ekzistojë Bosnja dhe Hercegovina.

“Nëse preket çështja e kufirit dhe bëhet precedent, kjo është çështje që prek interesat e regjionit. Dodiku para dy muajve tha, ‘në pranverën e vitit të ardhshëm nuk do të ekzistojë më Bosnja dhe Hercegovina’, është një paralajmërim, unë i ndjek deklaratat që kanë një mesazh të mundësisë së ndërrimeve territoriale që nënkuptojnë edhe mundësinë e bashkimit të Republika Srpskas me Serbinë. Natyrisht Maqedonia dhe shqiptarët atje janë në një pozicion tjetër. Ky është precedent shumë i rrezikshëm që mund të çojë mesazhe përtej”, ka thënë Beqaj.

Sipas tij Vuçiqi nuk do ta njohë kurrë Kosovën, porse me zhbërjen e shtetit të Kosovës hapet mundësia e bashkimit kombëtar me Shqipërinë.

“Ideja ime që e kam dhënë më herët ka të bëjë me faktin se nëse ndahet Kosova dhe Vuçiqi po i sakrifikon 50 mijë serbë në Mitrovicë, por ne duhet të mendojmë se a kemi arsye të ekzistojmë si shtet i pavarur. Vuçiqi ka një konstante që thotë se ‘kurrë, kurrë, kurrë nuk do ta njohë Kosovën’. Me faktin se e ndanë Kosovën ai e bën aleancën me shqiptarët, dhe ai thotë ‘dy popujt kryesorë në Ballkan janë shqiptarët dhe serbët dhe duhet të bëjmë kompromis’. Pra, kjo nënkupton zhbërjen e shtetit të Kosovës dhe hapjen e mundësisë së bashkimit kombëtar”, ka thënë Beqaj.

Ndërkohë Beqaj tha se nuk mjafton përkrahja e një shteti të fuqishëm si SHBA-ja, që të arrihet një marrëveshje efektive dhe e zbatueshme mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, duhet që të ketë edhe drejtësi brenda saj dhe të binden ata që duhet ta implementojnë.

Ai tha se është një perceptim i gabuar të mendohet për një marrëveshje deri në shtator. E quajti shumë komplekse arritjen e marrëveshjes.

“Mendoj se problemi ka të bëjë me perceptimin ireal që ndërlidhet me qasjen e Grenellit dhe Administratës Trump që po supozon se me faktin se vije një mbështetje nga një shtet i fuqishëm, mjafton që të vije edhe epilogu që kërkon ky shtet. Nuk kontestohet fuqia e një shteti si SHBA-ja, as përkrahja e ndihma që kemi pasur. Problemi është se çështja e fuqisë nuk ka dhënë rezultate në politikën e jashtme deri më tash sa i përket Administratës Trump. Shikojmë situatën në Siri, Irak e Afganistan. Kjo Administratë ka bërë tentime të bëjë marrëveshje të shpejta, por kur nuk ka shikuar se çfarë pasojash po nxjerr. Nëse fuqia nuk transformohet në drejtësi dhe drejtësia nuk bëhet pjesë e bindjeve të atyre që e implementojnë marrëveshjen, asnjëherë nuk mund të realizohet asnjë marrëveshje”, ka thënë Beqaj.

21:02

Beqaj thotë se deputetët e Kosovës e votojnë edhe ndarjen

Politologu Belul Beqaj ka thënë se çështja e ndarjes territoriale është e rrënjosur thellë. Ai thotë se deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë moral.

“Çështja e ndarjes territoriale është e rrënjosur shumë thellë. Nuk është se ka vdekur. Kemi pasur përvoja të hidhura me deputetet tanë. Edhe kjo që ndodhi me mocionin, tregon se s’kanë moral”, ka thënë Beqaj.

Ai është pyetur në emisionin Desku në KTV nëse deputetët do e votojnë edhe ndarjen e Kosovës.

“Edhe ndarjen e Kosovës, aq më tepër kur parlamenti është më i varfër se që ka qenë para rrënimit të Qeverisë Kurti”.

20:55

Krasniqi: Dialogu është arsyeja pse kanë rënë qeveritë Kurti dhe Haradinaj

Jeta Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në emisionin Desku në KTV ka thënë se dialogu është arsyeja se pse kanë rënë qeveritë Kurti dhe Haradinaj.

Ajo thotë se Qeveria aktuale nuk ka një plan konkret për dialogun.

“Ne nuk kemi parë konkretisht një plan të mirëfilltë se cili se do të jetë strategjia e Kosovës. Ajo çfarë e dimë është se çfarë është shkruar në planprogramin e Kosovës. Nga ana tjetër e kemi presidentin i cili deklaroi se jemi gati për të vazhduar dialogun. Nuk kemi parë të ketë parë një takim formal ndërmjet presidentit dhe kryeministrit”, ka thënë Krasniqi.

Sipas saj nuk dihet ende se sa i përfshirë është kryeministri Hoti në procesin e dialogut, duke e ditur se ai nuk ka qenë i përfshirë në të, për dallim nga presidenti Hashim Thaçi.

“Nuk e dimë se sa i përfshimë është Hoti dhe se cili do të jetë qëndrimi i Kosovës dhe nëse ata do të arrijnë të ndërtojnë një qëndrim unik. Pa diskutim që dialogu ka qenë arsyeja se pse kanë rënë Qeveritë Kurti e Haradinaj, e kjo mund të ndodhë edhe Hotit, besoj se kjo Qeveri është ndërtuar për të mbaruar çështjen e dialogut. Kjo qeveri në agjendën e saj ka çështjen e dialogut. Qeveria e kaluar duket se nuk kishte probleme në program, por problemi ishte pozicioni ndaj dialogut”, ka thënë Krasniqi.

20:50

Beqaj: Mënyra e formimit e bën të vështirë t’i besohet Qeverisë Hoti

Politologu Belul Beqaj në Deskun e KOHËS ka thënë se mënyra se si u formua Qeveria Hoti bën të dyshohet se a mund t’i besohet apo jo.

Ai ka dhënë disa pika që i ka konsideruar si arsye pse është e vështirë t’i besohet Qeverisë Hoti. Ka theksuar se kandidimi i Avdullah Hotit për kryeministër është mashtrim për votuesit e LDK-së. Sipas Beqajt, Qeveria Hoti s’ka fuqinë e mjaftueshme për t’iu përmbajtur marrëveshjes me Serbinë. Ka thënë se mungesa e unitetit brenda qeverisë, por edhe me opozitën do të dalë si pengesë tejet e madhe për çështjen e dialogut.

“Mendoj se mënyra si është zgjedhur kjo qeveri na bën të dyshojmë seriozisht se mund t’i besohet. Së dyti, fakti se ata të cilët ishin bartës dhe faktorë kryesorë të formimit të kësaj qeverie, që janë në prapavijë, Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj, realisht e kanë mbështet një mashtrim të formimit të Qeverisë sepse përgjatë zgjedhjeve kandidate e patën Vjosa Osmanin e në fund e patën dikë krejtësisht tjetër. E mashtruan elektoratin. Është përbuzje për Vjosën por edhe për elektoratin. Ky është elementi i dytë, aspekti legal, etik e moral dhe legjitim për mënyrën se si u bë natën duke e bindur komandant Topin të votojë tregon se brishtësia e kësaj qeverie s’jep garancione se mund të bartë barrë të cilën është shumë e rëndë për kapacitetin që ka. Ky është elementi i tretë. Dhe elementi që ka të bëjë me aspektin politik. Kjo qeveri s’mund të jetë e fuqishme për të realizuar marrëveshjen siç po mendon fuqia kryesore e botës për arsye se s’ka unitet të brendshëm jo që s’mund të përafrohet por ka hasmëri që paraqitet si pengesë e paevitueshme nëse vihet në referendum për fazën finale. Edhe brenda qeverisë, kur AAK-ja s’votoi për çështjen e reciprocitetit dhe brenda qeverisë e opozitës. S’ka emërues të përbashkët mes VV-së dhe LDK-së dhe atyre që janë në qeveri. Është shumë më larg se para se të krijohej kjo situatë. Kjo është kryegjëja. S’ka unitet rreth përmbajtjes së marrëveshjes mes administratës amerikane që e sheh si trofe për zgjedhje dhe BE-së që kërkon zgjidhje që stabilizon rajonin”, ka thënë Beqaj.

20:43

Krasniqi: Kosova nuk ka strategji të mirëfilltë për dialogun

Kosova nuk ka strategji të mirëfilltë dhe nuk dihet se cili është pozicioni i Kosovës për bisedimet me Serbinë, ka thënë Jeta Krasniqi nga KDI në emisionin Desku në KTV. Sipas saj pozicioni i Kosovës duhet të jetë për të ruajtur integritetin territorial.

Krasniqi ka thënë se nuk dihet aktualisht se çka po ndodhë me procesin e dialogut dhe se çka është duke u synuar.

“Ne nuk e dimë qartazi se çka po ndodhë me procesin e dialogut dhe çka është duke u synuar. E dimë që SHBA-ja ka kërkuar që në përfundim të procesit të ketë njohje reciproke. E kemi dëgjuar nga krerët tanë institucionalë të kenë thënë se duhet kompromis i dhimbshëm dhe drejtë asaj marrëveshje do të duhet të japim diçka. Pra është frazuar vetë nga krerët tanë institucional një gjë e tillë. Në vazhdimësi kemi dëgjuar se janë dy teza, ajo e një asociacioni me komuna me shumicë serbe, të një autonomie të komunave veriore, apo edhe këmbimit të territoreve si një mundësi e një kompromisi të asaj që mund të jepte Kosova, në mënyrë që të marrim njohje reciproke. Fokusi ynë ka qenë gjithmonë te teza e korrigjimit të kufijve, fokus me shumë vend, pasi na ka shqetësuar të gjithë neve kur flitej për dhurim të territorit nga ana e Kosovës ndaj Serbisë, për njohje”, ka thënë Krasniqi.

“Por problematika tjetër mbetet që ne kalojmë nga një qeveri në tjetrën dhe nuk kemi strategji të mirëfilltë dhe nuk e dimë cili është pozicioni i Kosovës. Pozicioni duhet të jetë unik dhe i tillë që ruan integritetin territorial, nuk prek funksionimin unitar të shtetit. Nuk duam të bëhemi Bosnje e dytë”.

Duke folur për mbetjen prapa të Bashkimit Evropian në procesin e dialogut, Krasniqi ka thënë BE-ja vetë është vendosur si e dyta, pas SHBA-së.

“Nuk e besoj që mund të thuhet që është lënë anash BE-ja. BE-ja me anë të sjelljeve të saj u vendos në vend të dytë, që procesi të merrej përpara nga ana e SHBA-së. Që nga fillimi i procesit, nga 2011-ta, ne e kemi parë që SHBA ka pasur rol shumë të rëndësishëm në dialogun Kosovë – Serbi. Edhe pse jo gjithmonë evident publikisht, SHBA-ja e ka mbështetur këtë proces”, ka thënë Jeta Krasniqi.

“Tani administrata e Trumpit është e interesuar të marrë një rol udhëheqës dhe e ka marrë atë rol udhëheqës. BE filloi të humbiste rolin e vet, sepse që nga koha e Mogherinit nuk ka një unitet të brendshëm në vet Bashkimin Evropian. Shohim zbehjen e rolit të ndërmjetësuesit të BE-së nga vetë shtetet anëtare të BE-së. E them këtë pasi Mogherini lejoi në tryezën e saj të shtrohet edhe tema e korrigjimit të kufijve. Kjo ishte një temë që nuk e kishte pranimin e shteteve të BE-së, një tezë që u kundërshtua direkt nga Gjermania. Fakti që më pas kishim samitin e Berlinit dhe ai që pritej, i Parisit, që nuk ndodhi, tregoi se Gjermania e Franca e morën këtë proces nga përfaqësuesi i lartë, pasi u pa që ky rol nuk arriti të përfaqësonte atë që BE-ja dëshironte. Por është pyetje se çka është ajo që dëshiron BE-ja”, vlerëson Krasniqi.

20:27

Beqaj thotë se Qeveria Hoti është produkt i skenarit amerikan

Politologu Belul Beqaj vlerëson se Qeveria Hoti është produkt i skenarit amerikan.

Por, sipas Beqajt, me këtë kanë të bëjnë edhe liderët politikë të shtetit të kapur të Kosovës.

“Qeveria është produkt i skenarit amerikan, është e Administratës amerikane dhe e liderëve politikë të shtetit të kapur të Kosovës në krye me Hashim Thaçin”, ka thënë Beqaj për Qeverinë e re të udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Ai, i ftuar në emisionin “Desku” në KTV, tha se si e tillë, kjo qeveri duhet të jetë edhe në funksion të skenarit amerikan.

“Rezultati është i paraparë, por a do të dele ashtu të shohim. Qeveria duhet të jetë në funksion të skenarit amerikan ku kryekzekutor do të jetë Thaçi, kurse ekzekutues dhe instrumenti kryesor do të jetë Hoti me anëtarët e kabinetit të tij”, ka thënë Beqaj.

Ai tha se synimi kryesor do të jetë nënshkrimi i marrëveshjes me Serbinë.

Po ashtu Beqaj ka thënë se kjo situatë në të cilën ndodhet tash Kosova, nuk do të ishte nëse do të hiqeshin më herët taksa dhe reciprociteti.

“Sikur të hiqej taksa dhe reciprociteti nuk do ta kishim këtë skenar, pra skenari i ndërrimit të Qeverisë së Kurtit dhe ardhjen e Qeverisë që mori tash detyrat. Është pasojë që nuk u hoq taksa e më vonë reciprociteti”, vlerësoi ai.

20:17

Krasniqi: Serbisë duhet t’i kërkohet heqja e barrierave jotarifore dhe ndalja e fushatës kundrejt Kosovës

Jeta Krasniqi, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në emisionin Desku në KTV ka thënë se pas heqjes së reciprocitetit Qeveria e Kosovës është dashur që ta kushtëzojë Serbinë me heqjen e barrierave jotarifore dhe me ndaljen e fushatës ndërkombëtare kundër Kosovës.

Sipas saj Qeveria ka rënë për shkak të reciprocitetit, dhe sipas saj kjo ka nxjerrë në pah problemet e brendshme dhe polarizimin politik në Kosovë.

“Për këtë arsye edhe ra qeveria e Kosovës, por besoj se duhet tejkaluar përgjigja nëse duhej apo jo të hiqej. Ajo çfarë kemi parë ishte pozicionimi i Kosovës karshi partnerëve dhe ka nxjerrë në pah problemet e brendshme të skenës politike dhe një polarizim dhe mungesë të një qëndrimi unik rreth dialogut dhe rreth marrëdhënieve që duan të ndërtojnë më SHBA-në dhe BE-në. Porse kemi parë edhe mos unitetin e faktorit ndërkombëtar ku kishim pozicione të kundërta të SHBA-së që ishte për heqjen e reciprociteti dhe Gjermania që ishte paksa më e hapur”, ka thënë Krasniqi.

Sipas Krasniqit Kosova ka të drejtë të vendosë masa të tilla reciproke veçanërisht ndaj Serbisë pasi ajo në vazhdimësi ka përdorur barriera jotarifore por ka pasur edhe fushata kundër pavarësisë.

“Por, ne nuk duhet të kemi vendime ‘ad hoc’ dhe jemi para një pozicioni kur në dy vite ka presion shumë të madh ndaj Kosovës. Ne duhet të shohim se e hoqëm reciprocitetin por çfarë kërkuam. Nëse Serbia ishte ajo që e kushtëzoi heqjen e tarifës dhe reciprocitetit dhe ne u përgjigjëm pozitivisht, kërkesat tona ishin që Serbia të hiqte barrierat jotarifore ndaj Kosovës dhe të ndalte fushatën ndërkombëtare kundër Kosovës. Këto nuk ndodhën dhe do të duhej të artikuloheshin nga Qeveria ndaj SHBA-së dhe ndaj partnerëve tanë ndërkombëtarë. Duhet Qeveria patjetër t’i bëjë”, ka thënë Krasniqi.