Arbëri

Beqaj: Qeveri e pafuqishme për t’iu përgjigjur sfidave

Foto: Driton Paqarada / Koha

Pafuqia praktike për t’iu përgjigjur sfidave shëndetësore, ekonomike e sociale, sikurse administratës amerikane, për shkak të mosunitetit të brendshëm në raport me opozitën dhe Bashkimin Evropian, do të jenë sfidat kryesore të Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Ky është vlerësimi që ka dhënë për Qeverinë e re politologu Belul Beqaj në intervistën e javës në “Koha Ditore”.

Sipas tij, jetëgjatësia e kësaj qeverie do të varet nga vetë ajo, e cila ka marrë detyra të cilat nuk ka fuqi t’u dalë në krye, shkruan KOHA..

“Po ashtu, do të varet nga shpërthimi i pakënaqësisë së opozitës dhe shpërthimi i mllefit të shtresuar të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Beqaj.

Një nga detyrat kryesore që i përshkruhet kësaj qeverie është dialogu me Serbinë. Por, sipas Beqajt, kryeministri i ri nuk do të ketë fuqi të imponohet në këtë proces. Ai thotë se pozicioni i Kosovës në raport me dialogun Kosovë-Serbi do të jetë plotësisht në funksion të skenarit të administratës amerikane. Kryeekzekutuesi i këtij skenari, siç ka thënë Beqaj, është presidenti Thaçi, derisa Hotin dhe Qeverinë e tij i sheh si instrument në funksion të realizimit të këtij skenari.