Arbëri

Qeveria Hoti rikthen mundësinë e privatizimit të Telekomit

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Qeveria e re e Kosovës ka kthyer çështjen e privatizimit të Telekomit. Ndërmarrja e shumëpërfolur gjatë periudhës së Qeverisë Kurti, nën Qeverinë Hoti mund të përfundojë në privatizim të pjesshëm.

Teksa në Qeverinë Kurti nuk ishte paraparë privatizimi i ndërmarrjeve publike në asnjë pikë në programin qeverisës të përbashkët me LDK-në, në pikën 5.7 të programit qeverisës të qeverisë së re është theksuar edhe privatizimi apo shitja e aksioneve të ndërmarrjeve publike.

“Në Telekomin e Kosovës duhet të konsiderohet privatizimi i pjesshëm me një strategji të qartë pas sanimit të gjendjes aktuale, por para privatizimit duhet të sanohen gjendja e rendë dhe përmirësohet performanca në mënyrë që të rritet atraktiviteti për investitorë strategjik dhe me renome në fushën e telekomunikacionit”, thuhet në pikën për Telekomin në programin e Qeverisë Hoti të miratuar sot.

“Privatizimi/shitja e aksioneve në ndërmarrje publike do të ndodhë vetëm në momentet kur privatizimi/shitja e aksioneve si proces do të maksimizonte vlerën e ndërmarrjes dhe përfitimeve tjera që ndërlidhen me procesin. Për të gjallëruar operimet në disa ndërmarrje publike, në planin afatmesëm dhe afatgjatë, asetet apo pjesë të aseteve të disa ndërmarrjeve publike do të shiten apo do të privatizohen përmjet Ligjit për Investimeve Strategjike”, shkruhet në pikat tjera të kësaj pjese të programit.

Për dallim nga Qeveria Kurti, ku Hoti fillimisht ishte zëvendëskryeminsitër, në atë program qeverisës nuk ishte paraparë privatizimi i Telekomit. Gjatë qeverisjes së shkuar, më 19 shkurt të këtij viti, ishte shkarkuar Bordi i Telekomit, për siç kishte thënë Qeveria Kurti “mospërmbushje të planit të biznesit, shkelje të detyrave dhe lejim të shpenzimeve të tepërta”.