Arbëri

Daçiq: Administrata e Trumpit më e mirë për Serbinë pasi nuk vlerëson se çështja e Kosovës është e zgjidhur

Shefi i diplomacisë së Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë të enjten mbrëma se administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump është më e mirë për Serbinë se ajo e Partisë Demokratike, pasi nuk vlerëson se çështja e Kosovës është zgjidhur.

“Demokratët e vlerësojnë çështjen e Kosovës të zgjidhur, kurse administrata e Trumpit vlerëson se nuk është e zgjidhur dhe se duhet të vijë te kompromisi. Në këtë kemi kontribuar edhe ne sepse kemi arritur të sigurojmë tërheqje të njohjes së Kosovës dhe kemi forcuar marrëdhëniet me disa vende, si Gjermania”, ka thënë Daçiq për televizionin Pink 3.

Sipas Daçiqit, Serbia duhet të jetë aktive në përkrahje të Trumpit dhe duhet të motivojë serbët në SHBA që në zgjedhjet e 3 nëntorit të votojnë për presidentin aktual të SHBA-së.

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë ka konfirmuar se do të vazhdohet me aktivitete me synim për të tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, për aq kohë sa do të lobohet për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

“Nuk duhet të shkojmë në BE me çmimin e heqjes dorë nga Kosova apo që të pranojmë pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Daçiq.

Ai madje ka folur edhe për testimin që është bërë në Kosovë për koronavirus, derisa ka komentuar vendimin e Malit të Zi për të hapur kufirin për banorët e Kosovës, por jo edhe për ata të Serbisë.

“Kanë shpikur shifra të caktuara, kanë lëshuar qytetarët e Kosovës, ndërsa atje nuk ka pasur ndonjë testim të madh për koronavirus”, ka theksuar Daçiq.