Arbëri

Reciprociteti ia humb Serbisë 1 milion euro në ditë, thotë Vuçiqi

Foto: Reuters

Masat e fundit të vendosura nga Qeveria e tashmë ish-kryeministrit Albin Kurti i shkaktojnë një milion euro humbje në ditë Serbisë. Kështu ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke shtuar se “kjo që ata bëjnë është çmenduri”.

“Nuk e kuptoj si e paramendojnë ata jetën në shekullin 21 kur nuk ka lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave, kapitalit dhe këtë gjë e kanë dënuar të gjithë. Të shohim se çka do të bëjë Qeveria e re e Prishtinës”, ka thënë Vuçiq të mërkurën në Novi-Pazar.

Vuçiqi ka thënë edhe se situata aktuale në Amerikë nuk nënkupton se Washingtoni do të humbasë interesimin për çështjen e Kosovës, dhe ka shtuar se kohë pas kohe këmben mesazhe me emisarin Richard Grenell, ndërsa pak ditë më parë tha se është dëgjuar edhe me të dërguarin evropian, Miroslav Lajçak, dhe se interesimi evropian po rritet.

“Fuqitë e mëdha gjithmonë janë përzier në çështjet ballkanike, por vendimet do t’i marrë populli dhe udhëheqja e shtetit, ndërsa ne duhet të bisedojmë me të gjithë”, ka thënë Vuçiqi.

Vuçiqi ka thënë edhe se kushti për rifillimin e dialogut me Kosovën është “që të mos ekzistojnë kurrfarë taksash, kufizimesh për kalim të lirë të mallrave, kapitalit dhe njerëzve”.