Arbëri

Disa qytetarë e quajnë “hajn” Thaçin gjatë konferencës për media

Foto: Driton Paçarada / KOHA

Në kohën kur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po mbante konferencë pas votimit të Qeverisë Hoti, një grup qytetarësh e quante “hajn” të parin e shtetit.

Pas tentimit të tyre që të hyjnë në rrethojat e oborrit të Kuvendit, ku Thaçi po mbante konferencën për media, ka ndërhyrë Policia e Kosovës.

Ndërkohë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, sipas KosovaPressit, pretendojnë se një anëtar i tyre është goditur nga katër persona, që kishin ardhur nga oborri i Kuvendit gjatë konferencës së Thaçit.

Në fotografi shihet se një aktivist i VV-së është shoqëruar në polici.

Në këtë konferencë, Thaçi uroi Qeverinë Hoti, teksa kërkoi nga Qeveria në largim të bëjë pranim-dorëzim të lehtë të detyrave.

Sot gjatë ditës, disa qytetarë protestuan vazhdimisht në kohën kur në Kuvend u votua pro Qeverisë Hoti.