10:28

Shkarkohet Bordi i Drejtorëve të KRU "Mitrovica”, ministrat e LDK-së s'ishin të pranishëm në mbledhje

Qeveria në detyrë ka shkarkuar Bordin e Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike “KRU Mitrovica” dhe ka emëruar Bordin e ri por që nuk i kanë treguar emrat e tyre.

Me kërkesë të Ministrisë së Financave, Qeveria në detyrë ka ndarë 12 milionë euro për zbatimin e Pakos Emergjente, raporton KOHA. 

Megjithatë, asnjë nga ministrat e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk ishte i pranishëm në mbledhjen e qeverisë, e thirrur nga kryeministri në detyrë Albin Kurti.

Mbledhja e qeverisë është duke u mbajtur pak para se të nis seanca e jashtëzakonshme për votimin e Qeverisë Kurti.

Ministrat e LDK-së, s’kanë qenë të pranishëm as mbledhjeve të fundit.

Pas përfundimit të Qeverisë në detyrë, Kurti ka njoftuar edhe përmes Facebook-ut për vendimet e marra, ndër to, ka publikuar edhe emrat e drejtorëve të Bordit të KRU “Mitrovica”.

Lexoni të plotë postimin e Kurtit:

Në mbledhjen e 39 të Qeverisë së Republikës së Kosovës që u mbajt sot:

U ndanë 60,000 euro për familjarët e dy minatorëve, Idriz Gërbeshit dhe Haki Arifit, të cilët humbën jetën dje tragjikisht në vendin e tyre të punës, në Minierën e Artanës.

U morën masat për parandalimin e keqpërdorimeve në Ndërmarrjet Publike. Pra: 1. Secila Ndërmarrje Publike duhet të krijojë sistem të mirëfilltë të menaxhimt të kontratave komerciale; 2. Ato duhet të ushtrojnë kujdes në shpenzimet e tyre dhe punësimet e reja; dhe, 3. Asnjëra nuk mund ta caktojë pagën mbi 2,500 euro në muaj pa pëlqimin e ministrit përgjegjës.

U sharkua Bordi i Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore KRU “Mitrovica” Sh.A. dhe u emërua Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve me këtë përbërje:
- z. Bajram Mustafa, kryesues dhe drejtor,
- znj. Nora Ibishaga, drejtore,
- z. Bislim Fetahaj, drejtor, dhe
- z. Edin Hajdarpasic, drejtor.

Me qëllim të zbatimit të Pakos Emergjente Fiskale, u aprovua propozim-vendimi i Ministrisë së Financave dhe Transfereve që t’i ndahen 12 milionë euro Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike.

Qeveria e Kosovës fillon procedurat për pagesën e Kartonit të Gjelbërt për bashkatdhetarët që vijnë në vendlindje.

U aprovua kërkesa që të krijohet një mekanizëm i përbashkët me Republikën e Shqipërisë për mirëmbajtjen e rrugëve nacionale.

Vazhdojmë…