Arbëri

Kosova dhe Banka Evropiane Investive, marrëveshje 11-milionëshe për trajtimin e ujërave të zeza

Foto: Koha

Kosova dhe Banka Evropiane Investive (BEI) kanë nënshkruar marrëveshje për kredi në vlerë prej 11 milionë euro për financimin e projektit “Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza”.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Financave dhe Transfereve Besnik Bislimi dhe përfaqësuesit e Bankës Evropiane Investive, Tom Gilliams dhe Ayse Nil ADA, është bërë e ditur të martën përmes një komunikate.

“Ky është investimi i parë i BEI-së në trajtim të ujërave të zeza dhe mbrojtje të mjedisit në Kosovë, i cili do të mundësojë ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza dhe rrjetin e ndërlidhur të kanalizimit, dhe në të njëjtën kohë do të përmirësojë infrastrukturën kryesore në sektorin e mbrojtjes së mjedisit. Ky projekt ofron qasje të përmirësuar në shërbimet e ujit dhe trajtimit të ujërave të zeza për më shumë se 90,000 qytetarë të Komunës së Gjilanit. Po ashtu, në linjë me strategjinë e Bankës dhe BE-së për Ballkanin Perëndimor, si rezultat i këtij investimi, do të zvogëlohet ndotja e ujërave lokal dhe do të përmirësohet kualiteti i shëndetit publik”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve.