21:29

Sveçla: Ka shumë gjasa që votimi për Qeverinë Hoti të dështojë

Xhelal Sveçla, ushtrues i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme në detyrë, ka thënë se ka shumë gjasa që votimi i nesërm për Qeverinë e Kosovës të dështoj. Ai thotë se te kjo mund të vijë për mungesë të numrave.

Duke folur në emisionin “Desku” në KTV, Sveçla ka thënë se edhe puna për Qeverinë e re është komedi e llojit të vet.

“Më bëri të buzëqesh deklarata e kryetarit të LDK-së, që tha se e kemi ndërmend edhe kësaj radhe të sakrifikojmë për Kosovën. Deklaratë qesharake dhe bajate. Nuk është kurrfarë sakrifice që i dymbëdhjeti për nga votat, të pretendojë të bëhet kryeministër dhe një estabilishment i tërë, i udhëhequr nga presidenti i vendit, t’i shërbejë këtij qëllimi. Ka shumë probleme legjitime e edhe me legjitimitet kjo qasje. Së pari qeverinë që e rrëzuan me mocion, ishte qeveri e cila nuk ishte peng i Listës Srpska. Ministrat e Listës Srpska ishin për shkak të kërkesave të Kushtetutës qe këta e kishin miratuar. Ne kundërshtonim edhe këtë pikë në Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Sveçla.

Sipas tij Qeveria në largim ka plotësuar një formalitet të nevojshëm, por se në asnjë moment vendimet e Qeverisë Kurti nuk ishin subjekt i shantazhit të Listës Srpska, përkatësisht Beogradit.

“Numrat në kuvend ishin të mjaftueshëm që kërkesat ilegjitime të Listës Srpska të mos pranohen. Nesër do të tentojnë të votojnë qeverie te re, qe edhe me Lista Srpska nuk i ka numrat e sigurt. Ka shumë gjasa që votimi të dështoj për shkak të mungesës së numrave. Shumë deputet të ndërgjegjshëm kanë hezitimet e drejta se çka të bëjnë nesër. Por nëse këta së bashku kanë numrat e dyshimtë, çfarë të themi pa Lista Srpska. Kjo qeverisje, besoj jashtëzakonisht e shkurtër, do të jetë subjekt i shantazhit të Serbisë, në vazhdimësi. Realisht Serbia prapë këmbëkryq do të ulet në Qeverinë e Kosovës”, ka theksuar Sveçla.

 

“Besojmë se do t’i fitojmë 50 për qind të votave”

 

Xhelal Sveçla beson se Lëvizja Vetëvendosje mund t’i fitojë 50 për qind të votave. Ai thotë se Vetëvendosje synon fitoren me qytetarin. Sipas tij “qytetarët besojnë se mund të arrihen 50 për qind të votave” nga Vetëvendosje.

“Nëse zgjedhjet mbahen tash, unë besoj se i fitojmë 50 për qind. Unë besoj se varësisht prej situatës, prej punës sonë si subjekti më i madh, por edhe në parashikimet e një potencialisht qeverisje të ardhshme shumë impotente në veprimet e saj, vetëm sa do të rritet mbështetja për Lëvizjen Vetëvendosje. Tashmë të gjitha sondazhet e nxjerrin Vetëvendosjen fituese bindëse në çfarëdo rrethane. Kjo ka ndodhur pasi Lëvizja Vetëvendosje është konsistente në veprimet e saj, ne jo vetëm se themi gjëra të drejta por punojmë dhe i bëjmë ato. Tashmë kemi përvojë që nuk e kemi pasur më herët. Kemi edhe përvojën e qeverisjes edhe dëshmi për t’ia prezantuar qytetarit se ne dimë edhe guxojmë”.

21:24

Sveçla thotë se Veliu nuk e takoi as pas gjashtë kërkesave

Xhelal Sveçla në emisionin “Desku” në KTV ka thënë se s’kanë pasur fare bashkëpunim me ish-ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliu, për të cilin thotë se nuk e takoi përkundër që i kishte bërë gjashtë kërkesa për takim.

Megjithatë, ai thotë se kanë pasur bashkëpunim shumë të mirë me ministrat e tjerë të LDK-së.

“Jam i bindur se ne kemi arritur maksimumin brenda rrethanave po veprojmë. Ne kemi pasur bashkëpunim të mirë edhe me ministrat e LDK-së dhe shfrytëzoj rastin t’i falënderoj dhe e di sa kanë qenë në pozitë të rëndë për shkak të presionit. Në përgjithësi ka pasur vendimmarrje të mirë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se s’kanë pasur fare bashkëpunim me Veliun në Ministri të Brendshme.

“S’ka pas far bashkëpunimi, mund të japë edhe shembuj të këtij mosbashkëpunimi. Ka pas një mosgatishmëri të tij të punojë në ekip, jo vetëm me mua, por duket se kjo është një dukuri e ditur. Unë i përkas një filozofie tjetër të punës, unë besoj se tre persona janë më të mençur se një, nëse ata bashkëpunojnë rezultati s’ka si të mos mungojë”, ka thënë Sveçla, ushtrues detyre i ministrit të Punëve të Brendshme.

Ai gjithashtu ka treguar se Veliu ka mbajtur vetëm një mbledhje dhe as aty nuk e kishte ftuar.

“Ka pas momente edhe të pakëndshme, psh, ka pasur vetëm një mbledhje të Ministrisë së Brendshme lidhur me situatën e koronavirusit, për gjatë gjithë kohës sa ministër ka qenë Agim Veliu. Edhe përkundër që është thirrë i gjithë kabineti dhe të gjithë drejtorët unë nuk jam ftuar në këtë mbledhje. Pra, ka pasur një tendencë për të më izoluar. Për dy javë gjashtë kërkesa për takime i kam bërë dhe nuk kam pasur sukses që ta takoj. Nëse një ministër nuk e takon zëvendësin e tij edhe pas gjashtë kërkesave për takim, kjo tregon çasjen e tij”, ka thënë Sveçla.

Ai gjithashtu ka treguar se Veliu kishte lënë Samitin e Brioneve për shkak të fushatës zgjedhore në Podujevë.

“Mendoj se ka pas mungesë përgjegjshmërie edhe në përgjithësi, shembull, përkundër që ai ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në Samitin ndërministror në Brione, për shkak të pjesëmarrjes në fushatën zgjedhore në Podujevë, nuk ka marrë pjesë në një takim të nivelit të lartë. Unë nuk kam shkuar e s’kam qenë as i njoftuar për këtë takim. Kosova është përfaqësuar me zyrtarë të nivelit të tretë dhe kjo po ashtu dëshmon edhe natyrën e tij si udhëheqës”, ka thënë Sveçla.

21:11

Sveçla: Kur Thaçi bie nga pushteti, humb lirinë dhe pasurinë e fituar paligjshëm

Teksa e ka quajtur përfaqësues të politikës së vjetër, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se kur presidenti Hashim Thaçi të bjerë nga pushteti, “ai humb edhe lirinë, por edhe pasurinë e fituar paligjshëm”.

“Pse kjo luftë e Thaçit me institucionet e Kosovës të zgjedhura në mënyrë legjitime? Kjo është pyetja e duhur. Ai përfaqëson politikë të vjetër. Politikë e mbushur qe dy dekada plot e përplot me skandale e dështime. Qeveria Kurti, siç po e thonë të gjitha analizat e sondazhet, dëmton planet e presidentit të Kosovës që të vazhdojë me të njëjtat politika e qasje, që interesin personal ta vë mbi atë të publikut e atë shtetëror. Jemi dëshmitarë që për të shpëtuar vetveten ai është i gatshëm të rrezikojë jo vetëm demokracinë në Kosovë, por interesat afatgjate të këtij vendi”, ka thënë Sveçla në Deskun e KOHËS.

Sveçla ka thënë se politikanë të caktuar në Kosovë janë bërë milionerë e miliarderë në kurriz të popullit. Ka akuzuar Thaçin dhe të afërm të tij për pasurim të paligjshëm.

“Në momentin kur zoti Thaçi bie nga pushteti, ai humb edhe lirinë por edhe pasurinë e fituar paligjshëm. Një ndër iniciativat më kundërshtuese të tyre ndaj një iniciative ligjore ishte kundër Ligjit për konfiskim të pasurisë së fituar paligjshëm. Për shumë arsye besoj, jemi dëshmitarë të pasurimit të paligjshëm jo vetëm të tij, por edhe të shumë njerëzve përreth tij. Besojmë se dëshmia e provës me pasurinë e paligjshme duhet t’i takojë atij që dyshohet dhe jo gjykatës. Në një shoqëri prej 1.7 milionë banorësh secili e di se sa familja apo individi kishte para 50 vjetësh, 10 vjetësh apo 20 vjetësh. Gjatë këtyre viteve, si rastësisht politikanë të caktuar u bënë milionerë e miliarderë, në kurriz të popullit të varfër e vendit më të pazhvilluar në Evropë”, ka thënë tutje ai duke shtuar se në 20-vjetët e fundit tendenca e elitave politike ishte “tendenca për të vjedhur këtë popull e këtë vend”.

21:03

Sveçla i quan shpifje pretendimet e Thaçit për shkuarjen në dhomën e përgjimeve, paralajmëron padi

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, në emisionin “Desku” në KTV i ka quajtur shpifje akuzat e presidentit Hashim Thaçi për pretendimet se ai së bashku me zëvendëskryeministrin Haki Abazi dhe kryeministrin Albin Kurti kanë vizituar dhomën e përgjimeve në Telekomin e Kosovës.

E për këtë shpifje, siç e quan ai, dhe shumë të tjera ai ka paralajmëruar padi.

Ai thotë të jetë befasuar me Policinë pasi kërkesa e presidentit për moszbatim të masave të Qeverisë kanë hasur ne veshë të shurdhër.

“Unë kam bërë disa padi ndaj presidentit, ai është më së paku president i Kosovës. E kam bërë pasi ai në mënyrë aktive duke dashur që ta dëmtojë Vetëvendosjen dhe Qeverinë Kurti ka dëmtuar vendin tonë. Nuk është hera e parë që ai e bën këtë dhe derisa ka kaluar në sjellje të papërshtatshme, jo vetëm për një president por edhe për një qytetar, duke bërë shpifje”, ka thënë ai.

Sveçla madje thotë se është shkelje e rëndë nëse ekzistojnë këto përgjime.

“Si është e mundur që dikush disponon përgjimet e 1 milion qytetarëve në këto 20 vitet e fundit. Që unë apo kryeministri të vëmë dorën në të, a ekzistojnë këto përgjime me të vërtetë, për shkak se nëse ekzistojnë atëherë kjo është një shkelje e rëndë e të drejtave të qytetarëve tanë. Ata duhet të deklarohen. Unë ngre këtë pyetje a ekzistojnë këto përgjime. Nëse qëndron ky deklarim i presidentit dhe zëdhënësve të PDK-së. Ekipi ynë i juristëve është duke punuar në këtë. Do të vije padija edhe për presidentin edhe për ata që kanë deklaruar kështu dhe besoj para një gjykate të paanshme ata do të duhej të deklarohen a ekzistojnë apo nuk ekzistojnë, për shkak se unë si qytetar dhe aktivist politik e zyrtar jam i brengosur”, ka thënë ai. “Në rastin më të keq ne do të mund të akuzoheshim për këto 120 ditë, por jo 20 vjet, e në shumicën e këtyre viteve Thaçi ka qenë në pushtet”.

Ai ka mohuar kategorikisht se ka qenë ndonjëherë në Telekom me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin, Abazi.

“Asnjëherë, është qesharake të deklarosh se kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ushtruesi i detyrës së ministrit të Brendshëm kanë në dispozicion tre ditë me radhë që të tretë të shkojnë në Telekomin e Kosovës të futen në dhomën e përgjimeve dhe të marrin përgjimet nga aty. Kjo është nonsens, është deklaratë banale. Me përgjegjësi të plotë e them se asnjëherë në jetën time unë me Kurtin e Abazin nuk kam qenë në Telekom. Deklarata e Thaçit i ngjanë shumë deklaratave të tij dhe shërbimit të tij, të cilët një gjysmë të vërtetë e marrin e ripaketojnë dhe pastaj e shesin si një të vërtetë të madhe”, ka thënë ai.

Por, Sveçla, thotë se ai ka shkuar në Telekom por me kërkesë zyrtare.

“Është e vërtetë që unë kam qenë në Telekom me kërkesën e kryeshefes së Telekomit, kërkesa është zyrtare e publike, për dy arsye: Duke qenë se Telekomi është në vështirësi financiare për shkak të këtyre njerëzve të njëjtë të cilët neve na akuzojnë janë në borxhe edhe ndaj atyre që iu kanë marrë tokën me qera për antena dhe ka pas rase kur kabllot që furnizojnë antenat me energji janë këputur nga pronarët e tokës, për shkak të mospagesës. Dhe ne është dashur që këtë pozicion ta sqarojmë. Ne kemi diskutuar me qytetarët meqenëse është vepër penale dhe për borxhet me të drejtë t’i drejtohen gjykatës ose përmbaruesve. Për të parandaluar këtë në mënyrë zyrtare kam shkuar aty”, thotë Sveçla, gjersa shton, “Dhe rasti i dytë ka qenë një numër i madh i shkeljeve të cilat ata i kanë identifikuar. Dhe kur mu kanë paraqitur këtë brengë, bëhet fjalë kryesisht për krime ekonomike dhe i kam drejtuar në Drejtorati për Krime Ekonomike në Policinë e Kosovës. Ekzistojnë dëshmitarë të këtyre vizitave, janë punonjës të Telekomit dhe fundi i fundit ekzistojnë edhe kamerat. Unë as që e di që ekziston një dhomë e tillë për përgjimet”.

Tutje ai ka shtuar se akuza e dytë kishte të bënte me vizitën e tij në pllacin e makinave të konfiskuara.

“Deklarata e dytë ka qenë se unë paskam qenë në qendrën ku janë veturat e konfiskuara nga Policia dhe Gjykata dhe aty kam shkatërruar dëshmitë e një laboratori të drogës. Prapë nonsens dhe një e pavërtetë e madhe. Është e vërtetë që unë kam qenë në dalje të Prishtinës ku gjendet ky, më shumë të themi plac i veturave. Aty kam qenë me drejtorin e Policisë, pjesëtarë të tjerë të PK-së për të parë mundësinë që veturat e konfiskuara për t’iu dhënë në shërbim Policisë së Kosovës”, ka thënë ai.

21:00

Sveçla: Kushtet për hyrjen në Kosovë të shtetasve të huaj, të njëjta për të gjithë

Ministri në detyrë i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka thënë në DESKU të KTV-së se kushtet për hyrjen në Kosovë, për shtetasit e huaj, janë të njëjta për të gjithë. Kësisoji, ai i është referuar akuzave të bëra nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kreu i PDK-së, Kadri Veseli për “mbylljen me Shqipërinë dhe hapjen me Serbinë”.

“Përderisa më herët kufijtë ishin të mbyllur, kufijtë e Kosovës tash janë të hapur, por me restriksione. Hyrja e shtetasve të huaj është kjo: Duhet të kesh një test që dëshmon se nuk je i infektuar, testi më i ri se 4 ditë. Dhe, e dyta, nëse nuk e keni këtë test, të nënshkruani një deklaratë që do të futeni në izolim për 7 ditë”, ka thënë ai.

Sveçla është pyetur nëse ka mekanizma që tregojnë nëse është duke e respektuar masa e vetizolimit. Është përgjigjur me “po”.

Duke iu kthyer akuzave, ai ka thënë se “në njërën anë VV-ja akuzohet se ka lidhje me Shqipërinë, përmes aktivistëve të shumtë të saj, e në anën tjetër se po ia mbyll kufijtë Shqipërisë”.

Sipas Sveçlës edhe vetë shtetasit e Kosovës, në fazën e parë, futeshin në karantinë.

Ai me këtë rast e ka akuzuar sërish për shpifje presidentin e Kosovës.

“Kjo në kuadrin e një shpifjeje të këtij presidenti. Shpifjet e tij janë të vazhdueshme. Do të duhej të ndërtonim një mekanizëm që në baza ditore t’i kundërviheshim me fakte shpifjeve të tij”.

20:46

Sveçla rreth akuzave të Pacollit dhe Thaçit për “terrorizëm shtetëror”: Të sqarohet nga hetuesia

Ministri në detyrë i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka thënë se lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli do të duhej të merrej në pyetje nga hetuesia lidhur me akuzat e tij për “terrorizëm shtetëror”.

“Ai tashmë ndodhet në Kosovë dhe hetuesia duhet ta pyesë atë prej nga informatat që shteti i Kosovës rrezikon sigurinë e tij”, ka thënë Sveçla në DESKU të KTV-së.

Gjatë përpjekjeve të para për votimin e Qeverisë Hoti, para se dekreti të dërgohej në Kushtetuese, Pacolli kishte ardhur në Kosovë. Ai, pasi që kishte mbërritur nga Tirana kishte bërë akuza për “tentim sulm terroristik”.

Sveçla ka thënë se kjo është çështje e hetimeve, tashmë të iniciuara.

“A paraqet Kosova shtet terrorist për këta dy zotërinjtë? Aterrimi i Pacollit në Tiranë ishte si i befasishëm, ashtu edhe i panevojshëm”, ka thënë Sveçla.

Ai ka shtuar se pasi që është thënë se teksa janë parë “shpifje e akuza, u kuptua që kjo ishte pjesë e një skenari”.

“Me ardhjen në Kosovë, Pacolli iu nënshtrua këtyre procedurave, shkoi në vetizolim, pasi paraqiti dokumente. Realisht duhet pyetur Pacolli, deklaratat e tij, por edhe të presidentit, ne nuk kemi parë kurrfarë rreziku, e lërë më shteti të përbëjë rrezik. Posa që kemi pranuar këto informata, jam munduar që me të gjitha kapacitetet të merremi me sigurimin e Pacollit”, ka thënë Sveçla.

Rreth akuzave për “kontrabandim” të Pacollit nga presidenti Thaçi, Sveçla ka thënë se “dalja e presidentit nga Kosova për 100 minuta, kthimi i tij jashtë çdo procedure, ishte i panevojshëm. Ne si politikanë duhet të sjellemi me përgjegjësi gjatë pandemisë”.

“Nuk është thënë se ai e solli Pacollin, por po të ndodhte kjo do të përbënte vepër penale”, ka thënë Sveçla.

Ai ka thënë se ka kërkuar nga hetuesia që të zbatojë detyrat e veta dhe se nuk ekziston asnjë rast për ndërhyrje në këto organe. Ka shtuar se personalisht nuk ka pasur kontakt me Pacollin.

20:20

Sveçla: Thaçi e Kushtetuesja sabotuan punën e Qeverisë

Xhelal Sveçla, Ministri i Brendshëm në detyrë në DESKU të KTV-së ka akuzuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe Gjykatën Kushtetuese se kanë sabotuar punën e Qeverisë.

Këto akuza i ka bërë teksa ka përgëzuar institucionet që në mënyrë aktive kanë punuar në parandalimin e përhapjes së koronavirusit, duke thënë në të njëjtën kohë se nuk duhet të harrohen “ata që në mënyrë aktive, sabotuan punën tonë”.

“Në kohën kur kishim vetëm 19 të infektuar dhe asnjë të vdekur, kërkonte të shpallte gjendje të jashtëzakonshme, e në momentin kur kishim numër më të madh të infektuarve dhe viktimat e para, kur nuk doli ta shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, bëri thirrje për mosbindje qytetare”, ka thënë Sveçla, teksa i është referuar Thaçit. Ai ka vazhduar numërimin e akuzave ndaj tij: “… duke hyrë e dalë nga Kosova për qejf, duke dalur në restorane dhe publikisht duke i thirrur institucionet që të mos përfillin urdhërat e Qeverisë”.

Për sabotazh, Sveçla e ka akuzuar edhe Kushtetuesen, transmenton KOHA.

“Me vendime që kishin të bënim më shumë më semantikë, sesa përmbajtje, ajo bëri të veten”, ka thënë ai, duke shtuar se Gjykata Kushtetuese nuk është në shërbim të këtij shteti.

Rreth ballafaqimit me pandeminë, ai ka thënë se qysh në ditët e para, Qeveria është përballur me këtë krizë, me të cilën u përball tërë bota.

“Ishim qeveri e re dhe në proces të reformës dhe pastaj u ballafaquam me këtë pandemi. Ne si ministri kishim rol kyç. Qysh në ditën e parë në detyrë mora përsipër aktivizimin e Planit të Reagimit Kombëtar. Me ndihmën e ekspertëve nisëm organizimin me të gjitha institucionet që kishin për detyrë të merren me këtë situatë”, ka thënë ai.

Sveçla ka thënë se, në retrospektivë, asgjë nuk do të bënte ndryshe, krahasuar me atë që është ndërrmarrë.

“Po të mos ishim në krizë politike, puna jonë do të ishte më e lehtë, e rezultatet edhe më të mira. Ishim në situatë, ku rruga jonë ishte plot me të panjohura”, ka thënë ai, duke tërhequr paralele edhe më përvojat e vendeve tjera.

Ai tha se mungesa e njohurive u kompenzua me punën në ekip dhe se angazhimi ka qenë intensiv.

“Këtu po flas edhe për zyrtarë dhe profesionistë që i gjetëm brenda institucionit”, ka treguar Sveçla.

Ai ka përgëzuar edhe Policinë e Kosovës. “Me një organizim mbinjerëzor, ata parandaluan që situata të keqësohej”, ka thënë ai.

Sveçla ka treguar se fokusi ka qenë tek parandalimi, duke e pasur parasysh gjendjen e rëndë të sistemit shëndetësor në Kosovë.

Ai në DESK ka folur edhe rreth aksidentit në Artanë.

“Fatkeqësisht, sot u njoftuam për aksidentin. Me të marrë lajmin, ishim aty për të parë nga afër gjendjen, për të bërë çdo gjë të nevojshme që gjendja të sanohet, duke filluar nga nxjerrja e kufomave të inxhinierit dhe minatorët. Familjarëve u shprehëm ngushëllimet”, ka thënë ai, rreth vizitës të përbashkët me kryeministrin në detyrë, Kurti, ministren në detyrë të MEPTINIS, Rozeta Hajdari dhe tjerët.

Ai ka treguar se teksa po shkonin, kishin qarkulluar lajme se kishte edhe minatorë tjerë të ngujuar. “Fatmirësisht nuk doli ashtu”, ka shtuar.

Ai ka thënë se ashtu si ndodhin aksidentet nëpër miniera, ky ishte aksident i papritur.