4 perditesime
22:36

Lladrovci akuzon VV-në se po keqpërdor emrin e familjes Jashari

Ramiz Lladrovci i PDK-së e ka quajtur keqpërdorim të emrin të familjes Jashari, idenë e VV-së që Murat Jashari të jetë kryeministër i një qeverie tranzicioni, siç ka propozuar kryeparlamentarja Vjosa Osmani.

Në një postim në Facebook, kreu i Drenasit ka thënë se kjo është ide e vonshme, duke ditur se të mërkurën pritet votimi i Qeverisë Hoti.

“Befasi pas befasie nga Vetëvendosja! Pesë para dymbëdhjetëve, me ide të mëdha. Kur ishte mundësia që Baca Adem të zgjidhej President, Albini që bëri emër nën hijen e tij, heshti. Nesër pritet të zgjidhet Qeveria Hoti, Vetëvendosjes sonte i del gjumi, besa edhe Vjosës. Keqpërdorin pa shije, emrin e Familjes Jashari”, ka shkruar ai.

Sipas Lladrovcit, nëse do të ishte vullneti për emrin përbashkues për skenën politike, kjo duhej bërë pas letrës së parë të Presidentit kur Vetëvendosjes iu kërkua emri i mandatarit.

“Vonë, vonë edhe për ide!” ka përfunduar ai.

21:43

Nisma mbështet propozimin që Jashari të jetë kryeministër me mandat të plotë, jo funksion tranzitor

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, njëherësh ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, është deklaruar pro idesë që Murat Jashari të jetë kryeministër i Qeverisë së Kosovës, por e ka quajtur joserioze propozimin e këtij emri për qeverinë e tranzicionit.

Idenë për krijimin e një Qeverie në tranzicion e ka dhënë kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, dhe këtë e kanë përkrahur deputetë nga Vetëvendosje, të cilët kanë propozuar për kryeministër Murat Jasharin.

“Në këtë fazë të zhvillimeve politike që rrjedhin nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për dekretin e Presidentit Thaçi lidhur me krijimin e qeverisë së re të Kosovës, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Zonja Vjosa Osmani doli me idenë një “qeveri të tranzicionit deri në zgjedhjet e reja, që do të udhëhiqej nga një figurë unifikuese mbi-partiake”. Deputeti i LVV-së, Liburn Aliu deklaroi se e mbështetë idenë e zonjës Osmani nëse në krye të qeverisë vjen Murat Jashari si kryeministër”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka shtuar tutje se përveç faktit që Murat Jashari është jurist i shkëlqyer, ai është përfaqësues dinjitoz i familjes emblematike të Jasharëve Legjendarë.

“Në cilësinë e juristit, ai është një personalitet që posedon aftësitë profesionale që të përfaqësojë institucionet e shtetit të Kosovës në nivelin më të lartë. Prandaj, çdo propozim që do t’i jepte mandatin e plotë qeverisës Murat Jasharit ne do ta mbështesnim pa kurrfarë rezerve. Mirëpo, as në cilësinë e doktorit të shkencave juridike, as në cilësinë e përfaqësuesit të familjes legjendare Jashari të Prekazit, nuk është serioze t’i propozohet Murat Jasharit një funksion tranzitor unifikues”, ka thënë Krasniqi.

Sipas Krasniqit, ai duhet të ketë mandat të plotë.

“Mendojmë se është moment i duhur që propozimi për Murat Jasharin si kryeministër të Kosovës të jetë propozim për një apo më shumë mandate të plota, sepse kemi bindjen se ai do të jetë vërtet unifikues në këto momente jetike për fatin e shtetit tonë. Në të kundërtën, propozimet nuk mund të jenë të sinqerta dhe kanë si prapavijë instrumentalizimin e Murat Jasharit në funksion të thellimit të përçarjes”, ka thënë Krasniqi.

Nisma është pjesë e koalicionit me LDK-në e AAK-në për Qeverinë Hoti.

20:57

LDK-ja kundër Qeverisë teknike, Mustafa thotë se synojnë mandat të plotë

LDK-ja është deklaruar kundër idesë së kryeparlamentares, Vjosa Osmani.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, në konferencë për media ka thënë se synojnë mandat të plotë, raporton KP.

“Ne po punojmë që Kosova të ketë qeveri të re. Kjo qeveri e re do të punojë me pritje për mandatin e plotë. Në qoftë se subjekte politike dhe LDK-ja në vazhdim të punës së kësaj qeverie sheh një interes tjetër të vendit, ne mund të bisedojmë me partnerët e koalicionit dhe subjektet politike tjera. Pasi ne këtë qeveri nuk e konsiderojmë si qeveri të tranzicionit”, tha Mustafa.

19:39

Deputetët e VV-së pro idesë së Osmanit për Qeveri teknike, propozojnë Murat Jasharin për kryeministër

Deputetët e Vetëvendosjes, Fitim Uka, Mefail Bajqinovci, Arbëreshë Kryeziu e Agon Batusha janë shprehur pro idesë së kryeparlamentares Vjosa Osmani që të ketë një Qeveri teknike me një kryeministër unifikues.

Që të dy deputetët kanë propozuar që kryeministër të jetë Murat Jashari, si figura më unifikuese në vend.

“Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, paska thënë se “e vetmja mënyrë për të parandaluar polarizimin ekstrem dhe përplasjet e mëdha në këto kohë sfiduese do të kishte qenë një qeveri tranzitore, ta zëmë për 6-9 muaj, e udhëhequr nga një figurë unifikuese mbi-partiake dhe me ministra teknik”. Me një vendim antikushtetues të Gjykatës Kushtetuese, me një Qeveri ilegale e joprofesionale në sfond, që varet nga Lista Serbe, do të votoja për një Qeveri të tillë tranzitore, që e ndal pazarin e territoreve dhe i hap rrugën zgjedhjeve pas 6 muajsh”, ka shkruar Uka.

Ai ka shtuar tutje, “e figura unifikuese e mbi-partiake që nuk do shumë kërkim, është padyshim Murat Jashari”.

Kurse Bajqinovci ka thënë se, “si deputet i Kuvendit e mbështesë plotësisht idenë e kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani për një Qeveri tranzitore 6 deri në 9 muaj, me ministra teknik dhe e udhëhequr nga një figurë mbi partiake që do të mundësonte funksionimin e vendit pa përplasje të thella deri në zgjedhjet e ardhshme. Jam i bindur që përfaqësuesi më i denjë për kryeministër në këtë opsion, do të ishte njëri nga përfaqësuesit e familjes emblematike të kombit tonë, z. Murat Jashari”.

Ai ka shtuar se mendjet e kthjellëta politike, na nevojiten tani më shumë se kurrë.

“Unë jam pro një qeverie unifikuese tranzitore me në krye Murat Jasharin. Do ta votoja madje qysh nesër. Në një moment si ky, kur humbësit po përpiqen të krijojnë një Qeveri të Re jolegjitime që nuk e ka mbrapa vullnetin e popullit, na duhet unitet. Le ta parandalojmë hovin e përplasjeve që po na presin ditët e muajt në vijim, e që dorën në zemër nuk do të jenë aspak të lehta”, ka shkruar Kryeziu.

Derisa Batusha ka thënë, “Pse mos ta kemi një kryministër konsesual si Murat Jashari që do të shërbente si figurë unifikuese për një qeveri tranzitore deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?”.

19:11

Osmani: Opsioni më i mirë, qeveri tranzitore deri në zgjedhjet e reja

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se zgjedhjet e reja janë opsioni i vetëm që do të mund të rikthenin legjitimitetin e institucioneve në vend, duke shtuar se në kohë pandemie Kosovës i duhet një qeveri teknike unifikuese.

Në një deklaratë, Osmani ka thënë se një qeveri tranzitore do të parandalonte polarizimin ekstrem dhe përplasjet e mëdha politike në kohë pandemie.

“Politikisht, siç e kam thënë edhe në të kaluarën, zgjedhjet janë i vetmi opsion që do të mund të rikthenin legjitimitetin e institucioneve. Por në ndërkohë, deri sa do të krijoheshin rrethanat për zgjedhje për shkak të pandemisë, mendoj se e vetmja mënyrë për të parandaluar polarizimin ekstrem dhe përplasjet e mëdha në këto kohë sfiduese do të kishte qenë një qeveri tranzitore, ta zëmë për 6-9 muaj, e udhëhequr nga një figurë unifikuese mbi-partiake dhe me ministra teknik”, ka thënë ajo.

Sipas saj, një qeveri teknike-unifikuese do të mundësonte tejkalimin e krizës politike e ekonomike dhe do të bënte përgatitjen për organizim të zgjedhjeve të reja, e do të sillte konsensus rreth dialogut dhe mbrojtjes së integritetit territorial.

Nënkryetarja e LDK-së ka thënë se “Qeveritë që varen në tërësi nga Lista Serbe asnjëherë nuk kanë sjellë as sukses e as stabilitet, sepse varshmëria nga Lista Serbe rrezikon arritjen e çdo objektive apo suksesi në të mirë të vendit”.

“Asnjë vendim më nuk është vetëm i vendit tonë por është rezultat i kompromiseve Kosovë-Serbi. Pra as edhe ligjet më të thjeshta nuk do të mund të kalojnë pa pajtimin e listës serbe, që do të thotë pa pajtimin e Beogradit. Ndërkaq, unifikimi i skenës politike në vend asnjëherë nuk e ka dëmtuar Kosovën por vetëm e ka shtyrë përpara atë”, ka deklaruar më tej ajo.

LDK-ja e Osmanit ka arritur marrëveshje me AAK-në e Nismën për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, pas rrëzimit të Qeverisë Kurti më 25 mars. Votimi për Qeverinë e re do të mbahet të mërkurën, më 3 qershor, pasi Gjykata Kushtetuese shpalli kushtetues dekretin e presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër. Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje, ish-partnere e LDK-së në koalicionin e shkuar, ka nisur një peticion me të cilin po kërkon zgjedhje.