17:32

Rreth 1.3 miliardë euro për rimëkëmbjen ekonomike

1.26 miliardë euro injektim në ekonomi përmes kreditimit dhe stimujve fiskal, për dy vjetët e ardshëm, ka paraparë Ministria e Financave dhe Transfereve me Pakon e Rimëkëmbjes ekonomike që e ka prezantuar sot.

Ministri në detyrë Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka thënë se kjo pako do të ketë në fokus mbështetjen e secilit biznes që ka hasur në rënie të aktivitetit ekonomik gjatë pandemisë.

"Nisur nga inputet e tyre është dizajnuar pakoja me ndikim të përgjithshëm në ekonomi në vlerën e 1.26 miliardë eurove, me periudhë plasimi në ekonomi prej 24 muajsh kurse me shtrirje të kostos në pesë vitet në vijim", ka thënë ai.

Kjo pako përfshinë 11 masa, në mesin e të cilave është edhe subvencionimi i pagave për bizneset që rrisin numrin e punëtorëve. Mbështetje parashihet edhe për sektorin e arsimit, duke shtuar programe deficitare dhe mbështetje të studentëve që ndjekin këto programe.

Kjo pako pason atë të emergjencës në vlerë prej 179.6 milionë euro.

Bislimi ka thënë se edhe deputetët duhet të kryejnë punën e tyre. Deri më tash, për shkak të përçarjeve, nuk janë ratifikuar marrëveshjet ndërkombëtare financiare në Kuvend. Disa kanë afat deri në fund të 30 qershorit.

“Ne kemi marrëveshjet e nënshkruara, gjithçka është e detajuar, duhet vetëm votimi dhe Kuvendi e refuzon. Këto pyetje duhet me i bë në kuvend, se a jeni duke i merituar ato paga prej 1 mijë e 500 euro që i merrni në baza mujore? Asnjë prej deputetëve nuk ka kërkuar që t’i ndalet paga për arsye se po refuzon të punojë. Por, pakoja e rimëkëmbjes ka impaktin 462 milionë euro në pesë vitet e ardhshme, ndërsa nevoja buxhetore për këtë vit nuk janë mbi 120 milionë euro, mirëpo edhe për këtë nevojitet aprovimi në parlament. Ligji për menaxhimin e financave publike e obligon parlamentin të diskutojë për rishikimin buxhetor në ato momente kur parashihet rënia e ndjeshme e të hyrave tatimore buxhetore, në bazë të parashikimeve tona pritet një rënie prej 10 për qind e të hyrave tatimore dhe me automatizëm parlamenti duhet të aktivizohet. Ligjërisht është e mundshme dhe është obligim për t’i proceduar të gjitha marrëveshjet financiare që ne i kemi bërë i kemi proceduar në kuvend. Ato janë tek zyra e kryetares së Kuvendit. Kryetarja e Kuvendit ka bërë presion te grupet parlamentare që t’i trajtojnë, por për kalkulime politike një pjesë e tyre po refuzojnë ose duke ikur nga mbledhjet pamundësojnë kuorumin për të vendosur për të njëjtat. Pra, ka një obligim”, theksoi Bislimi në konferecën e sotme.

15:40

Bislimi prezanton pakon e dytë për rimëkëmbjen e ekonomisë

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi e ka prezantuar draftin e pakos për rimëkëmbje ekonomike, pas krizës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Në një konferencë për medie, të enjten, Bislimi ka theksuar se pakoja e dytë për ekonomi ka një ndikim 1.2 miliard eurosh për pesë vitet në vijim.

Ministri ka folur edhe për burimet e financimit.

Ai ka precizuar se fokusi primar i pakos është mbështetja me kredi për ato biznese që janë ndikuar nga pandemia.

“Kjo pako përbën një draft fillestar. Financimi i saj, implementimi i saj kërkon disa parakushte, si në qeveri, ashtu edhe në Kuvend”, ka thënë Bislimi.

Ai e ka kërkuar nga Kuvendi ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, pasi që burimi i financimit të kësaj pakoje ndërlidhet me ato mjete financiare.

Ai ka folur edhe për pakon emergjente fiskale prej 190 milionë eurosh, e cila sipas tij, ende nuk është implementuar në tërësi/ ksp.

Shkarko dokumentin