Arbëri

Sot hiqet kufizimi për qarkullim i qytetarëve

Foto: Enis Imeri / Koha

Dy ditë më parë Qeveria Kurti kumtoi se nga sot, e enjte do të hiqet kufizimi për qarkullimin e qytetarëve gjatë ditës, raporton KOHA.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi për lehtësimin e disa masave kufizuese, që janë në fuqi prej kohësh për shkak të pandemisë COVID-19.

Në mbledhjen e mbrëmshme, Qeveria e Kosovës me kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë ka bërë plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë sipas të cilit ishin ndaluar tubimet në të gjitha hapësirat publike dhe private. Me plotësimet dhe ndryshimet e miratuara bëhet rihapja e xhamive dhe kishave për numër të reduktuar të besimtarëve në raport me sipërfaqet e këtyre faltoreve. Faltoret në këtë rast obligohen që t'ju përmbahen rekomandimeve të IKSHP-së dhe OBSh-së për ruajtje të distancës, përdorimin e maskave dhe të higjienës personale.

Nga sot do të hapen xhamitë dhe kishat, derisa qytetarët do të lëvizin pa kufizime nga ora 5:00 e mëngjesit deri në ora 21:00.

Në fund të këtij muaji do të mbyllet edhe karantina, ndërsa nga 1 qershori do të ketë lehtësime të tjera që ndikojnë në mbarëvajtjen e bizneseve.

Ndërkohë, mbrëmë në mbledhjen e qeverisë, kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin me të cilin Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë që nga data 30 maj 2020 të shfuqizohen vendimet:

- Vendimi i Qeverisë nr.01/13 i datës 18/03/2020, me të cilin Qendra e Studentëve në Prishtinë është caktuar si hapësirë karantine;

- Vendimi i GNMI MPBAP Nr.140/2020 i datës 25/03/2020, me të cilin është caktuar qendra për të huaj në Vranidoll si hapësirë karantine.

-Ministria e Shëndetësisë obligohet të sigurojë që personat që gjenden në karantinë në Qendrën e Studentëve dhe në Vranidoll, t’i testojë për Covid-19 dhe të njëjtit të lirohen në vetizolim për 14 ditët e ardhshme, nën mbikëqyrjen e ekipeve mjekësore dhe njësive tjera përkatëse. Në vijim, të gjithë personat që hyjnë në Republikën e Kosovës obligohen të vetizolohen për 14 ditë të ardhshme, nën mbikëqyrjen e ekipeve mjekësore dhe njësive tjera përkatëse.

- Të gjitha Vendimet tjera që kanë rregulluar procedurat e karantinës shfuqizohen;

Në arsyetim të vendimit thuhet se situata epidemiologjike në vend konsiderohet me rrezik të reduktuar, krahasuar me situatën paraprake sipas konstatimeve të IKShPK-së dhe zyrës së OBSh-së në Kosovë.