Arbëri

Mbi 100 mijë euro për 3 muaj i kushton MASHTI-t mësimi në distancë

Mbi 100 mijë euro do t’i kushtojë Ministrisë së Arsimit për 3 muaj pagesa e personave të angazhuar në procesin e mësimit në distancë. Përveç pagës së rregullt, personat që kanë punuar për realizimin e këtij procesi, do të paguhen shtesë për muajt mars, prill dhe maj të këtij viti. MASHTI, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka bërë të ditur se për mësimin në distancë janë angazhuar 143 mësimdhënës prej tyre, 54 të komunitetit turk dhe boshnjak. Përveç mësimdhënësve, në këtë proces kanë marrë pjesë edhe 49 persona të tjerë si staf mbështetës, 5 prej të cilëve punëtorë të MASHT-it dhe 44 nga drejtoria komunale e Prishtinës dhe e Prizrenit.

“Pagesa mbi pagën bazë e mësimdhënësve që kanë punuar për realizimin e mësimit në distancë bëhet në varësi të angazhimit dhe funksionit duke filluar nga 150,00 euro deri në 300.00 euro për muaj, ashtu siç përcaktohet në vendimin e Qeverisë së Kosovës. Kostoja totale për një muaj që paguan MASHTI –i për të gjithë të angazhuarit në procesin e mësimit në distancë, është në vlerë prej 41,790.00€”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-it.