Arbëri

Hoxhaj: Franca e Gjermania duhet të shqetësohen pse ende s’ka liberalizim të vizave për Kosovën

Foto: Koha

Sipas deputetit të PDK-së, Enver Hoxhaj, Franca dhe Gjermania duhet të kërkojnë liberalizimin e vizave për kosovarët, krahas porosisë për rinisje të menjëhershme të dialogut me Serbinë.

Në një opinion të botuar ekskluzivisht në KOHA, ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, dhe ai gjerman, Heiko Maas, kanë thënë se janë të vendosur që të zgjidhin të gjitha pengesat e mbetura mes Serbisë e Kosovës. Ata kanë kërkuar rifillimin e menjëhershëm të dialogut nën udhëheqjen e Bashkimit Evropian.

Në një reagim për këtë, Hoxhaj ka thënë se këto dy vende duhet të shohin me rëndësinë e njëjtë si të dialogut edhe liberalizimin e vizave.

“Franca dhe Gjermania është dashur ta marrin me shqetësim faktin se si kosovarët ende nuk kanë marrë liberalizimin e vizave, edhe pse Kosova ka kohë që ka plotësuar të gjitha kushtet e dhëna nga Bashkim Evropian. Porosia e tyre që të nisë menjëherë dialogu Kosovë -Serbi dhe njohja e ndërsjellë e dy shteteve është çështje vërtetë aktuale dhe e rëndësishme. Por, po aq aktuale dhe e rëndësishme është pritja shumëvjeçare dhe angazhimi i Kosovës që të përmbushë të gjitha kriteret për t’u bërë pjesë e bashkësisë së shteteve, në të cilën përket edhe ashtu gjeografikisht, si orientim politik por edhe si trashëgimi e afërsi shpirtërore e kulturore. Do të doja që ministrat e jashtëm të këtyre dy vendeve të kërkonin të liberalizohet lëvizja e qytetarëve të Kosovës, e drejtë kjo që normalisht do të duhej t’i takonte të gjithë qytetarëve evropianë, pa i selektuar”, ka shkruar në Facebook ish-ministri i Jashtëm i Kosovës.