Arbëri

Kurti falëndëroi Lajçakun për qëndrimin kundër shkëmbimit të territoreve

Dialogu e liberalizimi i vizave kanë qenë në mesin e temave të telefonatës, të hënën, midis kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurtit dhe përfaqësuesit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Detaje të telefonatës së tyre kanë dhënë si Lajçaku, përmes Twitterit, ashtu edhe Kurti, përmes një njoftimi për medie të lëshuar nga Zyra e tij.

Sipas njoftimit, Kurti ia ka përsëritur Lajçakut përkushtimin për një dialog me parime dhe rëndësinë e përmbajtjes së asaj marrëveshjeje.

“Me këtë rast, z. Kurti e falënderoi z. Lajčák për qëndrimin e tij kundër idesë për shkëmbimin e territoreve, ide që nuk ka as mbështetje rajonale”, shkruhet në njoftim.

Kryeministri në detyrë po ashtu e ka parashtruar kërkesën dhe nevojën për një vendim sa më të shpejtë nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Përmes një njoftimit në Twitter, Lajçak ka shkruar po ashtu se temë e bisedës ka qenë edhe situata politike në Kosovë dhe progresi në luftën kundër koronavirusit.

“Bisedë telefonike me Kurtin. Temat kryesore: Përparimi i bërë në parandalimin e përhapjes së Covid-19, situata aktuale politike dhe zhvillimet e mundshme, pritjet për rifillimin e dialogut me perspektiven e vërtetë evropiane dhe nevoja për liberalizim të vizave”, ka shkruar ai.