Arbëri

Infektologët paralajmërojnë shtim të rasteve me koronavirus nëse qytetarët nuk respektojnë masat

Komuna e Gjilanit është atakuar sërish nga koronavirusi.

14 raste kanë rezultuar pozitive me Covid-19 vetëm në këtë komunë të martën, të gjitha këto raste kontakti nga e infektuara ditë më parë në një klinikë private në Prishtinë.

Sipas zyrtarëve komunalë, të gjithë personat aktualisht janë pa simptoma dhe po mbahen në vetizolim.

Nënkryetari Arbër Ismajli thotë se janë të shqetësuar me shtimin e rasteve.

Derisa në Klinikën Infektive aktualisht janë të shtrirë 12 pacientë, katër nga ta janë në gjendje më të rënduar shëndetësore. Infektologu Sali Ahmeti thekson se qytetarët duhet të jenë më të kujdesshëm në respektimin e masave, në të kundërtën, sipas tij, do të ketë shtim të rasteve.

Nga Klinika Infektive të mërkurën janë liruar tre pacientë, derisa numri i të shëruarve nga kjo sëmundje është mbi 650.

Prej 257 mostrave të testuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të martën 24 raste kanë rezultuar pozitive me Covid-19. Në Kosovë deri tash janë rreth 920 raste pozitive me koronavirus, që nga 13 marsi kur janë shfaqur rastet e para.

Komiteti për menaxhimin e pandemisë ka paralajmëruar ashpërsim të masave nëse qytetarët nuk i respektojnë ato aktualet, përfshirë shtyrjen e fazës së dytë të lehtësimit të tyre.