Arbëri

17 persona të shtrirë në Infektivë - 1 në gjendje të rëndë

Foto: Alban Bujari / KOHA

Nga 17 persona të shtrirë në Klinikën Infektive, nëntë vazhdojnë të jenë pozitivë me COVID-19, kurse pesë tjerë, ani pse negativë, vazhdojnë ta marrin trajtimin në këtë klinikë. Ndërkohë, për tre persona tjerë ende nuk kanë dalur rezultatet, ka bërë të ditur të dielen mjekja kujdestare në këtë Klinikë, e cila ka shtuar se një person vazhdon të jetë në gjendje të rëndë.

“Për momentin gjithsej i kemi të hospitalizuar 17 raste. Prej tyre 9 raste janë COVID pozitivë. Jemi në pritje të rezultateve për 3 raste, derisa 5 raste tjera që janë negativizuar në testimet e fundit vazhdojnë trajtimin në Klinikën tone”, ka thënë për ksp Sadije Namani.

Prej nëntë personave pozitivë në COVID-19, ka treguar ajo, dy janë me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive.

“Si dhe kemi një rast të infermieres nga Prizreni, e cila është negativizuar por ende ka nevojë për oksigjenoterapi. Përndryshe, gjendjen më të rënduar e ka pacientja, e cila gjendet qe një javë te ne dhe që vjen nga Rahoveci. Ajo ka edhe sëmundje kronike të veshkave dhe është në dializë”, ka vazhduar Namani.

Infektologia Namani po ashtu ka bërë të ditur se në Klinikën Infektive të shtunën është pranuar një shtatzënë, e cila është transferuar nga Klinika Gjinekologjike. Ka shtuar se gjendja e saj është stabile.

“Dje e kemi vetëm një pranim. Një shtatzënë në muajin e pestë nga Klinika e Gjinekologjisë dje është pranuar atje dhe pas testimit, pasi që ka rezultuar pozitiv është transferuar tek ne. Gjendja e saj është stabile, sot e kemi pranuar edhe bashkëshortin e saj, për të cilin rezultatet e testimit priten më vonë”, ka theksuar Namani.

Deri më tani, 870 persona janë regjistruar të infektuar me koronavirus në Kosovë. Numri i të shëruarve ka arritur në 653, ndërsa ai i të vdekurve në 28.