Arbëri

Bislimi ka pezulluar konkursin për zgjedhjen e drejtorit të Doganës shkaku i pandemisë

Descriptive Text

Sikur disa institucione dhe kompani publike që kanë mbetur me ushtrues detyre të drejtorit të përgjithshëm, edhe Dogana e Kosovës është në këtë situatë, përkundër që konkursi për drejtor të Doganës ishte shpallur nga Ministria e Financave dhe Transfereve para tre muajve.

Ministri në detyrë i kësaj ministrie, Besnik Bislimi, ka vendosur që t’i pezullojë procedurat e përzgjedhjes së drejtorit me arsyetimin e shfaqjes së pandemisë në vend.

Konkursi ishte hapur më 12 shkurt të këtij viti dhe afati i aplikimit ka qenë deri më 26 shkurt, raporton KP. 

Për doganën që është një ndër institucionet më të rëndësishme në vend për mbushjen e buxhetit të shtetit dhe luftimin e kontrabandës në kufi, zëdhënësi i Ministrisë së Financave dhe Transfereve, Muharrem Shahini thotë për KosovaPress, se për shkak të situatës pandemike, procedura është pezulluar me vendim të Ministrit të Financave dhe Transfereve.

“Pra, aplikimi ka përfunduar dhe është themeluar komisioni përkatës, por nuk është zhvilluar faza e vlerësimit të kandidatëve”, thotë Shahini në një përgjigje me shkrim.

Ndërsa, zyrtarë të Doganës së Kosovës, kanë deklaruar se nuk janë të njoftuar për procesin e konkursit, pasi kjo çështje sipas tyre i takon Ministrisë së Financave dhe Transfereve.

Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci thotë për KosovaPress, se aktualisht punën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Doganës është duke e kryer Ibrahim Xhaka, deri në një vendim të ri të Ministrisë përkatëse.

“Kjo është çështje e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, ata janë institucioni kompetent që hapin konkursin dhe bëjnë panelin dhe përzgjedhjen. Konkursi ka qenë i hapur për më tepër duhet adresuar tek Ministria e Financave dhe Transfereve. Ushtrues detyrë deri në këto momente është Ibrahim Xhaka duke kryer detyrën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm”, thotë Stavileci.

Ndryshe, ish kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, pak parase të lironte zyrën e kryeministrit, ia kishte vazhduar mandatin drejtorit të Doganës, Bahri Berisha.

Por, në ditët e para të Qeverisë Kurti, kryeministri Kurti anuloi vendimin e Haradinajt për të mundësuar shpalljen e konkursit në mënyrë të rregullt.

Në konkursin e fundit të Ministrisë së Financave, për drejtor të përgjithshëm të Doganës së Kosovës, kanë aplikuar 26 persona, prej tyre 11 janë zyrtarë të Doganës. Ndër aplikantët janë edhe ish- drejtori Bahri Berisha dhe ushtruesi i tashëm i detyrës së drejtorit, Ibrahim Xhaka.

Mësohet se kandidatë për pozitën e të parit të doganës, janë Bekim Mehmetaj, Arlind Limani, Bastri Bardhi, Agim Nika, Irfan Fejzullahu, Bahri Berisha, Ibrahim Xhaka, Agron Llugaliu, Asllan Rrahmani, Gazmend Maloku, Skënder Neziri, Osman Neziri, Bashkim Arifi, Agron Sadiku, Besim Curri, Mimoza Vila, Ekrem Hajdari, Driton Kurshumliu dhe Besmir Çollaku, dhe përveç tyre, janë edhe tetë kandidatë të tjerë në garë për pozitën e drejtorit të Doganës.