Arbëri

Raportuesi i Këshillit të Evropës kërkon përgjegjësi politike e sundim të ligjit në Kosovë

Raportuesi i Asamblesë Parlamentare Këshillit të Evropës (APKE), Peter Beyer, nga Kosova ka kërkuar përgjegjësi politike e sundim të ligjit.

Ai shtoi se mbështetja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit në Kosovë vijon të jetë e fuqishme në këto kohë të vështira. Beyer, sa herë ka përmendur Kosovën ka shtuar edhe fusnotën.

“Populli i Kosovës është goditur rëndë nga kriza aktuale e koronavirusit, siç janë goditur shumë vende të tjera në botë. Dhembshuria ime është veçanërisht për ata që janë ndikuar direkt nga kriza: në aspekt shëndetësor, në atë ekonomik, dhe me vendet e goditura më së shumti nga përhapja e sëmundjes. I mirëpres, në këtë kuptim, shembujt pozitivë më të fundit të bashkëpunimit pozitiv ndërmjet komuniteteve dhe të koordinimit ndërkufitar dhe solidaritetit në mes të udhëheqësve profesionist mjekësore e zyrtarë, përtej ndasive etnike e politike”, ka thënë Beyer, përcjell KOHA.

Sidoqoftë, Bayer ka kujtuar se vetë Kosova është midis një krize politike e kushtetuese që kur qeveria e zgjedhur humbi ndaj votimit të mocionit të votëbesimit në fund të marsit, pikërisht kur po shpalosej kriza e COVID-19.

Aty theksohet se presidenti i Kosovës me dekret shpalli formimin e qeverisë së koalicionit të ri, pa zgjedhje të reja, por ky dekret është sfiduar nga kryeministri i qeverisë në detyrë në Gjykatë Kushtetuese, nga e cila më 1 maj u pezullua dekreti deri më 29 maj.

“Në këtë gjendje dramatike, është qenësore për të ardhmen e Kosovës dhe popullit të saj që të sigurohen kontrollet e pushtetit (balancimi i pushteteve). Kjo vlen veçanërisht për një Kuvend tërësisht funksional dhe sistem të pavarur kushtetues të gjykatave”, ka thënë Beyer.

“I nxis fuqishëm të gjithë ata që kanë përgjegjësi politike në Kosovë, e edhe në gjyqësor, që të veprojnë ekskluzivisht në interesin e qytetarëve të tyre dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. I besoj çdokujt në Prishtinë që udhëzohet përmes sundimit të ligjit dhe siguron proporcionalitet në raport me të gjitha masat e nevojshme për përballjen e pandemisë aktuale dhe krizës politike, gjithmonë në pajtim me sigurimin e standardeve të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që është pjesë e sistemit ligjor vendor”, ka përfunduar Beyer.