4 perditesime
00:15

Sveçla: Pacolli duhet të qëndrojë në vetizolim, nëse e thyen atë, merren masa

U.d. i ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se deputeti Pacolli do të ndalohej e ndoshta edhe do të arrestohej, në rast se do të kthehej ilegalisht në Kosovë nga Tirana.

Ai nuk përjashton ndonjë masë edhe tash, nëse Pacolli thyen vetizolimin në shtëpinë e tij.

Sveçla, i ftuar në Interaktiv të KTV-së, tha se Pacolli duhet të qëndrojë në vetizolim për 14 ditë.

“Çdokush që mund të gjindet në shkelje të ligjit do të ballafaqohet me pasojat e kësaj shkelje. Nëse z. Pacolli do të futej ilegalisht do të arrestohej, kjo është e zezë mbi të bardhën. Në fakt, do të ndalohej e më pas prokuroria do të vendoste nëse do të shqiptonte masën e arrestit”, tha ai.

Sveçla ngul këmbë se Pacolli duhet të respektojë masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit në vend. Ndër këto masa është edhe vetizolimi i tij, meqë erdhi nga jashtë. Po ashtu tha se Pacolli do të ndalohej nëse të shtunë do të t’ia mësynte Kuvendit, ku pritej të mbahej seanca e jashtëzakonshme për votimin e Qeverisë Hoti.

“Ai do të qëndrojë në vetizolim, në momentin që ai potencialisht thyen izolimin, normalisht ka masa edhe për këtë veprim. Me dijen time, nëse thyhet izolimi ka masa tjera, nuk shkohet direkt në arrestim, ka gjobë mandatore, kthehet në vetizolim apo dërgohet në karantim”, tha Sveçla, duke pohuar se nuk do të lejohej të shkonte në parlament.

23:56

Sveçla: Deklarata si të Pacollit kam dëgjuar vetëm prej Serbisë

Xhelal Sveçla e ka kritikuar kreun e AKR-së, Behgjet Pacolli, rreth deklaratave të tij se “Shteti i Kosovës mund t’i bëjë akt ‘terroristik’”.

Sveçla tha se deklarata të tilla ka dëgjuar vetëm nga shteti i Serbisë, derisa ka shtuar se Kosova i ka lëshuar leje Pacollit për të ateruar në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”.

“E kemi pasë një kërkesë për fluturim në MI e cila pastaj u përcjell në ministritë e tjera. Në këtë situatë në pikë të parë të frontit është MSH-ja. Së bashku me leje, kemi njoftuar se kushdo që futet në Kosovë duhet të vetizolohet ose të dërgohet në karantinë”, tha ai.

Sveçla tha se nuk kanë dashur doemos ta dërgojnë në karantinë Pacollin.

“Pacolli kur erdhi i është bërë kontrolli mjekësor, paraqiti dokumenaticionin për shëndetin edhe u dërgua në shtëpinë e tij. Aty na tregoi problemet e tij shëndetësore, dhe mjekët morën vendim që ai të kalojë në vetizolim”, u shpreh Sveçla.

U.d i MPB-së, tha se rasti është i qartë, dhe se kundrejt tij s’ka pasur asnjë qëllim.

“Pacolli pati leje një ditë më herët për të ardhur në Prishtinë. Ai kërkoi leje ne i dhamë. Ai ka ateruar në Tiranë. Nuk e di çka ka ndodhur në Lugano por mund t’iu them se Pacollit iu dha leja për të ateruar në Prishtinë por ateroi në Tiranë. Kur mbërriti në Kosovë doli me akuzë të tmerrshme. Po të mos isha zyrtar, do të qeshja me atë akuzë që kam dëgjuar vetëm prej Serbisë”, u shpreh Sveçla.

Sveçla e ka kritikuar edhe shkuarjen në Shqipëri të presidentit Hashim Thaçi.

“Raporti që mua më erdhi nga Policia, Thaçi ka qenë në ulësen e parë e prapa nuk kanë mundur të shohin se kush është ulur”, u shpreh ai, duke thënë se “edhe si ministër edhe si qytetar kam shpresuar që kjo s’ka ndodhur, pra ta ketë futur në Kosovë Pacollin”.

Sveçla tha se i dakon presidentit Thaçi ta sqarojë vizitën e tij “enigmatike në Shqipëri”.

23:52

Sveçla: Qeveria e re e varur nga Lista Serbe

Xhelal Sveçla komentoi edhe kabinetin Hoti, që tentoi të kthehej në qeveri të shtunën, por që u pamundësua nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Sveçla tha se qeveria e re, nëse votohet, do të jetë e varur nga Lista Serbe.

“Kemi bashkëpunim minimal me ta. Të jesh i varur prej tyre kur ata janë ambasadorë të Beogradit është hipokrite”, tha Sveçla në Interaktiv të KTV-së.

23:48

Sveçla nuk e pohon as mohon mundësinë e protestave

U.d i ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në Interaktiv të KTV-së, tha se Qeveria në detyrë është në pritje të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit Hashim Thaçi, që sot u pezullua përkohësisht.

E nëse vendimi nuk shkon në favor të qeverisë, Sveçla nuk e pohoi por as mohoi se mund të ketë protesta.

“Po merrem me luftimin e Covid-19 dhe me detyra të zakonshme që dikasteri im i mbulon. Gjërat tjera janë tretësore. Nuk mund të paragjykojë se çka do të ndodhë pas 1 muaji. Protestat janë e drejtë legjitime e qytetarëve”, tha ai.

Sveçla tha se duhet fokusuar te luftimi i koronavirusit.

23:42

Sveçla: Presidenti e opozita deshën të na zënë në befasi, por ishim të përgatitur për skenarin e tyre

Ushtruesi i detyrës i ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se vendimi i sotshëm i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e dekretit të presidentit Hashim Thaçi për mandatin që ia dha Avdullah Hotit të LDK-së për kryeministër, ka qenë i pritshëm për të, Qeverinë në detyrë dhe Vetëvendosjen.

I ftuar në Interaktiv ë KTV-së, Sveçla tha se Thaçi së bashku me opozitën u munduan të bëjnë një lojë me skenar, por që nuk iu ndezi.

“Presidenti Thaçi së bashku me opozitën u munduam ta bëjnë një lojë, ku dekretin e shpallën 5 minuta para orës 16:00 dhe një ditë para festës në mënyrë që t’ia lidhin kyrt kësaj pune, siç thotë populli dhe deshën që të shtunën ta votojnë qëverinë. Por kjo po tregohet se ishte një hap jo i logjikshëm dhe jolegal”, tha Sveçla.

Ai tha se Qeveria në detyrë ishte e përgatitur për këtë skenar, siç e quajti ai.

“Kanë pritur të na zënë në befasi, por ishim të përgatitur për këtë lloj skenari. Është fatkeqe çfarë lloj lidershipi kemi, përplot skenarë, nuk do t’i kishte hije asnjë të rrituri, e jo më e një lidershpi. Do t’i ngjante një ‘banane republike’ po të pranohej ky skenar, do të shkaktonte pakënaqësi të mëdha. Jemi të kënaqur dhe tash presim vendimin final të Gjykatës”, tha ai.

Svceçla pret që edhe vendimi final do të jetë në linjë me këtë që sot ishte i përkohshëm dhe vlen deri më 29 maj.

“Në qoftë se bazohemi në letra, fakte e dokumente, atëherë presim një vendim të ngjashëm për çështjen në tërësi, pasi kemi dokumetuar përmes ekipit të juristëve se hapat e presidentit janë shkelje pas shkelje e Kushtetutës”, ka vlerësuar ai.

Svceçla ka folur edhe për atë që sot bëri bujë në media, përmendja e Kushtetutës së Serbisë në ankesën që u dorëzua në Kushtetuese.

Sipas tij, ajo ishte përmendur në raport me presidentin.

“Ne nuk iu kemi referuar Kushtetutës së Serbisë në raport me VV-në, por në raport me sjelljet e presidentit të Kosovës. Ai thuajse harronte që Kosova ka Kushtetutë”, ka thënë Sveçla, i cili beson se edhe vendimi final i GJK-së do të jetë në favor të Qeverisë në detyrë.

“Unë besoj se ata (gjyqtarët) do të marrin një vendim, se nuk do të bien në presionin e presidentit që në mes të lojës t’i ndërrojnë rregullat”, tha ai.