Partia Demokratike e Kosovës thotë se vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese në lildhje me masat e marra për Prizrenin i jep asaj të drejtë si dhe dëshmon për shkeljen që ka bërë Ministria e Shëndetësisë me rastin e futjes së këtij qyteti në karantinë për të ndaluar përhapjen e koronavirusit.
Në një konferencë për shtyp, të premten mbrëma, deputetja Besa Ismaili, tha se shkelja e Kushtetutës nga Qeveria në detyrë po ndodhë për të dytën herë dhe duhet të merren masa.
“Aktgjykimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese vërteton për herë të dytë radhazi se qeveria në ikje e Kurtit është përpjekur që të përqendrojë të gjitha pushtetet në duart e saj, duke shkelur rëndë liritë themelore të njeriut. Lëvizja Vetëvendosje, ka ardhur në pushtet duke mashtruar qytetarët si partia që do të garantojë në Kosovë sundimin e ligjit, dhe në pak javë pushtet e diskreditoi veten duke shkelur së paku dy herë aktin më të lartë juridik të shtetit tonë, Kushtetutën”, tha deputetja Ismaili, raporton KP-ja. Ismaili, po ashtu, tha se përpjekja për të marrë vendime që nuk i takojnë, duke anashkaluar e nëpërkëmbur pushtetin legjislativ të Kuvendit, demonstron një mungesë të theksuar të respektit që ka kjo parti për demokracinë dhe për institucionet e procedurat demokratike.
“Ne jemi të bindur se marrja e vendimeve të paligjshme nga ministri i shkarkuar Vitia në tejkalim të kompetencave ligjore përbën gjithashtu një vepër penale. Prandaj, i bëjmë thirrje prokurorisë së shtetit që të ndërmarrë hapa ligjorë kundër këtij shkelësi. Verdikti i sotshëm i Gjykatës Kushtetuese, demonstron përsëri cenimet e rënda që qeveria e shkarkuar e Kurtit i ka bërë demokracisë dhe rendit kushtetues të Kosovës. Në këtë mënyrë dëshmohet edhe njëherë se Qeveria Kurti e ka merituar të shkarkohet me mbi 2/3-tat e votave të Kuvendit të Kosovës”, tha ajo.