3 perditesime
21:21

Analistët presin krizë të thellë politike nëse Kushtetuesja i jep të drejtë LDK-së për formim të qeverisë

Përfaqësuesit e shoqërisë civile, Agron Demi e Donika Emini, në Deskun e KOHËS, e kanë quajtur të rrezikshme mundësinë që Gjykata Kushtetuese t’i japë të drejtë LDK-së për formimin e qeverisë së re, pa përfshirjen e Vetëvendosjes si fituese të zgjedhjeve të fundit.

Të dy analistët kanë thënë se kjo do t’i hapte rrugë shkatërrimit të sistemit në Kosovë duke shtuar se “do të kishim zgjedhje shumë më shpesh se deri tash”.

“Po shpresoj që vendimi përfundimtar i Kushtetueses më shumë do të krijojë qartësi se paqartësi. Ka ndodhur në të kaluarën kur kanë krijuar më shumë paqartësi. Për shembull më 2014, te VLAN-i ishte vendosur që partia që ka fituar shumicën e votave në zgjedhje që të krijojë qeverinë e jo një shumicë parlamentare. Kjo të themi ka prishur të gjithë sistemin duke bërë që gjithqysh partia e parë të jetë pjesë e qeverisë. Nëse e bën tash që edhe pa fituesin të krijohen institucionet, do të kemi situatë kur qeveritë do të krijohen sa për sy e faqe sa për të përmbushur një aktgjykim kushtetues e më pas menjëherë do të rrëzohen qeveritë për të krijuar të tjera. Te qytetarët do të shihet se votimi nuk sjell ndryshim. Kjo është shumë e keqe”, ka thënë Demi.

Sipas tij, “do të ishte mirë që Kushtetuesja të stopojë formimin e Qeverisë së re deri në një aktgjykim përfundimtar e më pas sado që të duket i drejtë apo jo, të gjitha palët ta respektojnë”.

Në anën tjetër, Emini ka thënë se sikur Gjykata t’i jepte të drejtë qeverisë së re, do të bënte që Kosova të futej në krizë të thellë politike.

“Nëse krijojmë precedent të tillë demokracia fragjile e Kosovës do të dëmtohet tepër. Ne do të rrimë në krizë politike gjithmonë nëse ndodh kjo. Për problemin më të vogël do të rrëzoheshin qeveritë. Ky është devijim i demokracisë”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se vendi do të mund të shkojë në zgjedhje, vetëm pasi koalicioni i ri të përfundojë një marrëveshje me Serbinë.

Për një marrëveshje me Serbinë, sipas Demit, bashkësisë ndërkombëtare i intereson vetëm fotografia e nënshkrimit dhe pak se si do të ratifikohet ajo nëpër vende brenda.

Të dy janë shprehur se Qeveria e re LDK-AAK-Nisma-AKR do të ketë më shumë vështirësi në funksionim për shkak të numrit të madh të partive e numrit jo të madh të votave në Kuvend.

21:16

Thaçi është i duhuri për marrëveshjen e shpejtë që po e kërkon SHBA-ja, thonë Demi e Emini

Analistët politikë, Agron Demi dhe Donika Emini, vlerësojnë se prishja e marrëdhënieve me partnerët e Kosovës në botë, është kryekëput rezultat i politikës vendore.

Të ftuar në emisionin Desku në KTV, ata thanë se kjo është përtej të imagjinueshmes dhe një luks që Kosova nuk e ka.

Demi si problem në procesin që po kalon Kosova, sheh rolin e presidentit Hashim Thaçi. Ai tha se Thaçi kudo që ndodhet, mendon se pozita e tij është më e rëndësishmja, andaj edhe insiston të jetë në ballë të punëve. E problemi bëhet edhe më i madh me faktin se Thaçi shihet si udhëheqës i negociatave, sidomos nga SHBA-ja.

Ai tha se edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe partia e tij, VV-ja, gabuan që fajësuan SHBA-në për rrëzimin e Qeverisë.

“Unë mendoj që është gabim prej Kurtit e VV-së me fajësu SHBA-në për punë të brendshme, është problem krejtësisht i brendshëm”, tha Demi.

Ai thotë se në rast se vije Qeveria Hoti, presidenti Thaçi do ta ketë shumë më lehtë t’u prijë negociatave me Serbinë. Sipas tij, kjo edhe po kërkohet nga SHBA-ja.

“Këtë e kam kuptuar para dy viteve, kur në një takim me shoqërinë civile, një zyrtar i State Departmentit tha se Thaçi duhet t’u prijë negociatave, pasi shihte më shumë mundësi tek ai për marrëveshje të shpejtë”, tha Demi.

Ai shtoi se tash ka ndryshim të roleve. Sipas tij, Thaçi me çdo kusht po dëshiron ta nxjerrë veten në pah.

“Me një qeveri të LDK-së, prapë ai qe do të vendosë do të jetë presidenti. Kjo paraqet ndryshim të roleve, pasi më 2008, kryeministri i atëhershëm Thaçi, insistoi që të shpallte pavarësinë, duke thënë se mban pushtetin më të fuqishëm, atë ekzekutiv. Tash mendon se kjo i takon presidentit. Kudo që ndodhet mendon se i takon”, shtoi ai.

Demi parashikon se negociatat do të nisin shpejtë e ka shumë mundësi që edhe marrëveshja të arrihet shpejtë.

“Nëse bëhet qeveria Hoti, nëse lejohet nga Kushtetuesja, duket se do të shkojë shpejtë, pasi duket sa ka dakordim për një marrëveshje. Insistimi për marrëveshje finale ka qenë që kjo të ndodh në maj - qershor 2019, po si duket taksa prishi punë. Nëse do të ketë një raund të ri negociatash, atëherë do të ndodhë para zgjedhjeve në SHBA që mbahen në nëntor, pasi presidentit Trump i duhet një storje suksesi ndërkombëtar”, shtoi Demi.

Njëjtë, vlerëson edhe Donika Emini, sidomos tash pasi ka mundësi të largohet Kurti nga Qeveria. Sipas saj, Kurti ishte e panjohura e vetme e ndërkombëtarëve.

“Unë mendoj që ka gjasa, sado që këtë mund të mos e mbështesin shumë, pasi u mënjanua e vetmja e panjohur në ekuacion, Kurti pra. Matthiew Palmer vitin e kaluar në një takim me shoqërinë civile ka thënë se Kurti është i vetmi i panjohur, tha se nuk e kanë idenë se si do te qaset Kurti në këtë proces. Ne e kemi dëgjuar Richard Grenellin që një qasje tepër sipërfaqësore, shihet qartë se nuk e njeh Ballkanin Perëndimor. Nëse do të ishte Palmer, sado që ka një lidhje me Serbinë, prapë e njeh Ballkanin”, ka thënë Emini.

Sipas saj, Thaçi është i konsoliduar në këtë proces, por është Kurti që ka ardhur i fundit dhe se e kishte të vështirë të përfshihej.

“Kurti ka qenë i margjinalizuar derisa doli fitues. Na habiti fakti që ambasadori i SHBA-së dhe të tjerët shfaqen shenja besimi në ndërtimin e qeverisë nga Kurti si fitues”, tha ajo.

20:50

Emini e Demi thonë se LDK-ja iu frikësua bashkëqeverisjes me VV-në

Demi dhe Emini, kanë folur edhe për ish-koalicionin VV-LDK. Ata kanë thënë se LDK-ja iu frikësua koalicionit me VV-në.

Analistja Donika Emini ka thënë se ka qenë i pritshëm një përfundim i tillë i asaj qeverisjeje.

Sipas saj, fakti që të dyja partitë nuk arritën të bëjnë koalicion para zgjedhjeve, ka qenë i vështirë përafrimi mes tyre.

“Ka pas probleme derisa është formuar koalicioni. Fakti që këto dy parti nuk kanë mund me bë koalicion para zgjedhjeve ka treguar që është e vështirë që këto dy parti të përafrohen”, ka thënë ajo.

Ajo tutje ka shtuar se koalicioni ishte bërë për shkak të presionit të madh publik.

“Pas zgjedhjeve koalicioni u bë për shkak të presionit të madh që ishte atëherë mbi LDK-në për të formuar qeverinë. Përndryshe besoj që do të vepronin ndryshe. Por presioni publik duke i parë këto dy parti si zgjedhje e vetme atëherë u shtynë drejt bashkëpunimit. Ballafaqimi i parë ka qenë pikërisht te MPB-ja. LDK ka qeverisë më herët ka qenë pjesë establishmentit që e kanë bërë hisedarë në kapjen e shtetit. U pa që LDK-ja ka shfaqur hezitime nga një proces duke iu frikësuar edhe VV-së e cila është goxha agresive në operimin e tyre. Janë parti tepër operative që vazhdimisht ndërmerr aksione ndonjëherë edhe pa u konsultuar me partinë në koalicion”, ka thënë ajo.

Ndërkaq analisti Agron Demi ka thënë se nëse do të funksionin institucionet e pavarura ndryshimi përmes zgjedhjeve do të ishte më i lehtë.

Demi tutje ka shtuar se tension mes dy partive ka pasur edhe pa u arritur koalicioni.

“Ne kemi parë një LDK që ka zvarritur koalicionin me muaj të tërë nga frika që kjo qeverisje me Vetëvendosjen do ta ndryshojë edhe LDK-në. Bashkëqeverisja e LDK-së për 20 vjet me PDK-në Nismën, AAK-në e ka bërë LDK-në me elemente të njëjta si këto parti. Tensionet që kanë dalë me shkarkimin e ministrit të punëve të brendshme dhe reciprocitetin mendoj që këtu e kanë thelbin, komplet te një ndryshim i qeverisjes për të cilën këto parti tradicionale nuk janë pajtuar”, ka thënë ai.

Ai thotë se fakti që LDK-ja ka insistuar ta drejtojë MPB-në ka dëshmuar që ata nuk dëshirojnë të ketë ndryshim rrënjësor në strukturën e qeverisjes.

20:22

Demi e Emini vlerësojnë se Kosova është shtet i kapur

Përfaqësuesit e shoqërisë civile, Agron Demi dhe Donika Emini, kanë thënë se sistemi në Kosovë nuk është plotësisht demokratik. Të dy kanë thënë për Deskun e KOHËS se Kosova është shtet i kapur.

I pyetur se a ka Kosova sistem demokratik, Demi ka thënë se Kosova nga jashtë duket shtet demokratik, por brenda në thelb është në pronësi të individëve.

“Ajo që ndodh në Kosovë është se nga jashtë duket shtet demokratik, por Kosova është më shumë do të thosha neopatrimonale, jo aq demokratike. Është fasadë ku shteti nga jashtë duket demokratik, ka institucione qeverisëse, ka procese zgjedhore, zgjedhje të qeta, institucione gjyqësore, Gjykatë Kushtetuese, por në thelb është shtet në pronësi të individëve apo grupeve të caktuara që përdorin fasadën për nevoja të tyre për të mbajtur pushtetin e për t’u dukur jashtë si shtet demokratik. Është prezent tek ne”, ka thënë ai.

Sipas tij, “kjo më së miri po duket me rrëzimin e Qeverisë në një kohë pandemie dhe zhvillimet e fundit politike”.

“Ajo që ndodhi në zgjedhjet e fundit është se për herë të parë në 12 vjetët e fundit patëm ndryshim rrënjësor në qeverisje. Kjo nuk është materializuar edhe me natyrën qeverisëse sepse forcat jashtë sistemit legal ishin aq të forta sa s’lejuan ndryshim”, ka shtuar Demi.

Ai ka kujtuar se Kosova edhe në raportet e “Freedom House” nuk klasifikohet si sistem demokratik me liri të mirëfillta me sistem gjysmëautoritar.

Ndërkaq Donika Emini ka thënë se demokracia në vend është duke pësuar rënie.

Sipas saj është vështirë të definohen nuancat mes demokracisë dhe sistemeve autoritare.

“Në rastin e Kosovës duket që tranzicioni ka marrë më shumë kohë se sa kemi pritur. Janë ndërtuar disa elemente të demokracisë, por shteti është i kapur. Studiuesit kanë ardhur me shumë etiketime si demokraci liberale, elektorale apo fragjile e së fundmi kemi dëgjuar edhe për demokracinë që shkon prapa me hapa. Ka elemente demokratike, por nuk kanë siguruar funksionim të shëndetshëm të një shteti demokratik. Koha e pandemisë e ka bërë edhe më sfiduese demokracinë në botë”, ka deklaruar ajo duke shtuar se “Qeveria Kurti shfaqi tendenca të çkapjes së shtetit”.