Arbëri

MASHTI nis procedurat për zgjedhjen e recensentëve që do t’i vlerësojnë tekstet e reja

Descriptive Text

Ministria e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka bërë thirrje publike për recensentë për vlerësimin e dorëshkrimeve për klasat 3,8,12 si dhe për dorëshkrimet të cilat nuk janë vlerësuar pozitivisht nga recensentët vitin e kaluar.

Sipas konkursit, recensentët duhet të kenë kompetencë profesionale për vlerësimin e aspekteve të caktuara të tekstit shkollor, shkruan KOHA.

Ministria e Arsimit nuk ka treguar numrin e recensentëve që do të angazhohen në procesin e vlerësimit të këtyre teksteve, me arsyetimin se kjo do të përcaktohet në bazë të numrit të dorëshkrimeve të cilat i kanë dorëzuar shtëpitë botuese. E sa i përket shumës që do t’i kushtojnë MASHT-it recensentët dhe vlerësimi i teksteve, ky institucion ka theksuar se kjo mund të dihet tek pasi komisioni t’i emërojë recensentët.

“Fillimisht, recensentët konkurrojnë sipas ofertës së shpallur më 24.04.2020, pastaj MAShTI formon komisionin profesional për zgjedhjen e recensentëve. Komisioni vlerëson se kush mund të jetë kandidat/e për recensentë sipas kritereve të caktuara në ofertë. Kandidatët të cilët nuk i plotësojnë kriteret, nuk mund të fitojnë të drejtën e recensentit. MAShTI ka plan dinamik se kur ata duhet të fillojnë vlerësimin”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Kjo ministri ka bërë të ditur se një ditë më parë me vendim të ministres, Hykmete Bajrami, është bërë përzgjedhja e Këshillit të ri të ekspertëve për Programe dhe Tekste Shkollore (KEPTSH).

Edhe pse gazeta ka kërkuar t’i dijë emrat e anëtarëve të këshillit, Ministria nuk është përgjigjur.

Në bazë të ligjit për tekste shkollore, KEPTSH e ka për detyrë ta mbikëqyrë procedurën e hartimit dhe të botimit të teksteve shkollore. Ky këshill shqyrton dhe miraton raportet vlerësuese të recensentëve, më pas i propozon ministrit listën përfundimtare të teksteve shkollore.

Kohë më parë, disa nga shtëpitë botuese kanë kërkuar që të mos zvarritet procesi i konkursit për tekste shkollore, në mënyrë që ato të jenë të gatshme për shtator.