Arbëri

Vitin e ardhshëm pritet të fillojë inkasimi i faturave të energjisë në veri të vendit

Më së largu deri vitin e ardhshëm pritet të fillojë inkasimi i faturave të energjisë elektrike edhe në Veri të Kosovës.

E kjo, sipas Ilir Shalës, kryeshef i KOSTT-it, mund të ndodhë edhe më herët, nëse inkasuesi i deritanishëm në këtë pjesë të vendit aplikon për leje.

Për mënyrën e shpërndarjes së rrjetit dhe të inkasimit, Shala thotë se është formuar një grup punues.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka konfirmuar se humbjet e shkaktuara të energjisë elektrike nga mospagesa e serbëve në komunat veriore, do të vazhdojnë të mbulohet nga buxheti i shtetit dhe për këtë Qeveria ka ndarë 10 milionë euro.

Ndërkaq, INDEP-i vlerëson se Kosova në këtë mënyrë shtrin autoritetin e saj edhe në pjesën veriore të vendit.

Deri më tash për shkak të konsumit në pjesën veriore të Kosovës, nga sistemi interkonektiv evropian, energjia elektrike e tërhequr në veri kap vlerën e mbi 28 milionë eurove.

Kosova më 21 prill ka arritur marrëveshje me Rrjetin Evropian të Transmetuesve të Energjisë, gjë që nënkupton se është pavarësuar nga Serbia në aspektin e energjisë elektrike.