Ofertat ndaj minoriteteve joserbe në Kuvend për formimin e Qeverisë së re janë shtuar ditëve të fundit.
Është deputeti egjiptian, Elbert Krasniqi, pjesë e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, i cili ka thënë se i janë bërë oferta të ndryshme, por që nuk e kanë bërë të ndryshojë mendjen kundër qeverisë së re.
“Tash e disa ditë, mua dhe partisë sime po i vijnë oferta të ndryshme nga ata që po e duan një qeveri të re. Ajo që nuk do të ndodhë është vota ime për një qeveri pa fituesin e zgjedhjeve. Prandaj le të mos e humbin kohën e tyre. Ajo që po ndodh është pazari i nisur me deputetët e që duhet t'i alarmojë qytetarët, të cilët i siguroj që vota ime nuk do të jetë pjesë e asnjë pazari!”, ka shkruar ai në Facebook.
Kurse, Kryetari i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ka thënë për KTV-në se LDK-ja dhe vetë Avdullah Hoti i ka ofruar Krasniqit një ministri në këmbim të votës.
Pikërisht udhëheqja e një ministrie për herë të parë pas luftës është kushti kryesor që ka vendosur deputeti tjetër egjiptian, Veton Berisha. Në të kundërtën, ai thotë se do të votojë kundër Qeverisë, raporton KOHA.
Por, dallime rreth kësaj çështjeje ka edhe brenda subjekteve që përfaqësojnë komunitetet, rom, turk, boshnjak dhe goran.
Albert Kinolli, shefi i Grupit Parlamentar 6+ ku bëjnë pjesë këto parti, thotë se po mundohen të krijojnë një qëndrim të përbashkët.
Ndërsa, Lista Serbe që ka 10 deputetë thotë se për kërkesat e saj ende nuk ka diskutuar me LDK-në.
“Ende nuk kemi biseduar me askënd, por Lista Serbe nuk do të jetë pengesë për formimin e Qeverisë”, ka deklaruar Goran Rakiq, kryetar i LS-së.
Kjo listë pritet të marrë edhe pozitën e zëvendëskryeministrit, post të cilin e mbante edhe në Qeverinë Haradinaj.