Arbëri

Bislimit i shkon në takim vetëm guvernatori Mehmeti

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka njoftuar se pas ftesës që ka bërë ditë më parë për sot, i ka shkuar në takim vetëm Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti.

Takimi kishte të bënte rreth Pakos për Rimëkëmbjen e Ekonomisë.

Ish-ministri Shala, thotë Bislimi, ka ofruar mbështetje nga distanca pasi ndodhet në SHBA, e ish-ministri Hamza, ka thënë se nuk e sheh të mundshme pjesëmarrjen në takim.

Bislimi nuk ka marrë përgjigje prej ish-ministrave tjerë.

“Për sot kisha ftuar në një takim këshillues gjithë ish ministrat e deritanishëm të financave të Qeverisë së Republikës së Kosovës, si hap i parë drejt dizajnimit të një pakojë sa më të avancuar të rimëkëmbjes ekonomike. Kjo pako do të adresonte nevojat e ekonomisë menjëherë pas përfundimit të masave kufizuese në përballje me pandeminë COVID 19. Kam marrë tri përgjigje në tërësi; konfirmimin për pjesëmarrje nga ana e guvernatorit të Bankës Qendrore, z. Mehmeti, përgjigjen e ish ministrit z. Ahmet Shala dhe ish ministrit, z. Bedri Hamza. Z.Shala më ka njoftuar se është me qëndrim në SHBA dhe rrjedhimisht e ka të pamundur prezencën në takim, por ka ofruar mbështetje nga distanca me gjithë kapacitetin e tij intelektual. Ndërsa Hamza ka njoftuar se për momentin nuk e sheh të mundshme pjesëmarrjen në takim”, njoftoi Bislimi.

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, u ka shkruar letër para ca ditësh të gjithë ish-ministrave të kësaj ministrie, dhe Guvernatorit të BQK-së Fehmi Mehmeti, të cilëve, u ka bërë ftesë për konsultim rreth Pakos për Rimëkëmbjen e Ekonomisë. Letrën ia pati dërguar ish-ministrave Bedri Hamza, Avdullah Hoti, Besim Beqaj, Haki Shatri, Ahmet Shala dhe Ali Sadriu, si dhe Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti.

Takimi u mbajt sot në orën 10:00.

Si përfundim, thotë Bislimi, “unë kam takuar guvernatorin, Mehmeti, dhe kemi shkëmbyer informacione shumë të vlefshme për ecuritë në sistemin bankar dhe në sektorin privat të ekonomisë në tërësi|.

“Poashtu kemi analizuar mundësinë dhe afatet realiste për fillimin e relaksimit të masave kufizuese, dhe vështirësitë e sektorit privat deri në normalizimin e plotë të jetës dhe aktivitetit ekonomik. Si Ministria e Financave dhe Transfereve ashtu edhe Banka Qendrore është duke analizuar elementet kryesore që do të duhet të jenë pjesë përbërëse e pakos për rimëkëmbje ekonomike dhe poashtu edhe akterët të cilët do duhej të përfshihen në diskutimet intenzive. Dua të përfundoj me potencim të sërishëm, se qëllimi i vetëm i ftesës për takimin e sotëm ka qenë gjetja e hapësirave për harmonizim të ideve dhe alternativave të subjekteve të ndryshme politike, në mënyrë që pas aprovimit të saj, pakoja të ketë mbështetje maksimale nga secili spektër i shoqërisë. Përkundër mos-gatishmërisë së ish kolegëve për të qenë sot në takim, dua t’u bëjë me dije që kabineti im mbetet i hapur për ata, idetë por edhe për kritikat e tyre konstruktive”, përfundon Bislimi.