Arbëri

Berisha: MSH-së po i bie maska, na poshtëroi duke pranuar teste dhuratë nga Serbia

Deputeti i AAK-së, Ali Berisha, ka kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë për menaxhimin e situatës pandemike me Covid-19.

Berisha ka thënë se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, nuk është zëdhënës i Qeverisë, por ai duhet të marrë vendime e të implementojë politika për ta tejkaluar sa më lehtë këtë situatë.

Sipas Berishës, tani mashtrimit e reklamimit ka filluar t’i bie fasada.

“Mashtrimit, reklamimit dhe paketimit të fasaduar ka filluar t’i bie fasada. Ministria e Shëndetësisë dhe ministri nuk e kanë detyrë primare të tyre informimin e popullatës me masa mbrojtëse, dhënien e statistikave të të infektuarve me virusin Covid- 19, si dhe edukimin e popullatës se si të sillet në këtë kohë pandemie. Ministri nuk duhet ta luajë rolin e zëdhënësit të ministrisë dhe zëdhënësve të Institucioneve Shëndetësore. Qysh në fillim të kësaj, në vend që të merreshin me furnizime me materiale mbrojtëse për punëtorët shëndetësorë dhe të mobilizonin kapacitetet e përgjithshme profesionale që ka Kosova, si mikrobiologë, epidemiologë dhe infektologë, më shumë u interesonte të merreshin me konferenca për shtyp. Në vend që të siguronin furnizime me materiale të nevojshme për testim, mburreshin duke u reklamuar se si janë më të mirët jo vetëm në regjion por edhe më gjerë”, ka shkruar Berisha në një reagim të tij në Facebook.

Berisha tutje ka shtuar se Ministria e Shëndetësisë ka mashtruar popullatën se është furnizuar me 7,000 teste laboratorike, “kur në të vërtetë po del se ishin vetëm 2,100 sosh”.

Përveç tjerash, e ka kritikuar Qeverinë edhe që ka pranuar teste donacion nga Serbia, duke e quajtur poshtërim për Kosovën.

“Mashtruan popullatën se janë furnizuar me 7000 teste e po del që ishin furnizuar vetëm me 2100 sosh. Për shkak të menaxhimit jo të mirë dhe presionit publik për nevojën e rritjes së numrit të testimeve dhe numrit jo të mjaftuar të testeve në dispozicion, na poshtërojnë duke kërkuar donacion nga Serbia dhe duke u munduar ta shesin si shprehje e vullnetit të mirë. Serbia kurrë nuk ka pasur dhe nuk ka vullnet të mirë ndaj Kosovës. Kosova do ta kalojë këtë pandemi me pasoja sa më të vogla, falë popullatës së re që ka, falë punës se palodhshme të punëtorëve shëndetësorë, falë dëgjimit dhe zbatimit të sugjerimeve të ekspertëve shëndetësorë, rekomandimeve të OBSH-së dhe qarkullimit jo të madh ndërkombëtar që ka Kosova me vendet tjera”, ka shkruar ai në fund.