3 perditesime
00:33

Vitia shpreson se deri më katër maj të përmirësohet situata me Covid-19

Ministri i Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia, shpreson që deri më katër maj të ndalin ciklin e rritjes së numrit të të infektuarve me Covid-19.

Ai gjithashtu ka paralajmëruar një pako për Luginën e Preshevës.

“Njëra nga temat kyçe që kemi biseduar me ministrin e shëndetësisë së Serbisë ka qenë edhe Lugina. Para kësaj, të premten e kaluar bashkë me kryeministrin Kurti dhe ministrin Bislimi kemi biseduar për masat dhe ndihmat që ne si qeveri do t’i dërgojmë në Luginë dhe pas këtyre diskutimeve do të dalin me një pako. Njëra ndër kërkesat tona për ministrin serb ishte ajo për testimin, dhe mënyrën si po trajtohen qytetarët në Luginë”, ka thënë ai. “nga ana e ministrit na është thënë se do të funksionojnë si për qytetarët e tjerë. Në bashkëpunim edhe me komunat atje do të zgjidhet shumë shpejtë”.

Ai thotë se do të ketë përmirësim të situatës, por nëse respektohen masat e Qeverisë.

“Më 4 maj ne shpresojmë se do të ndalim ciklin e rritjes së numrit të të infektuarve. Ne kemi parë disa shtete si model, dhe kemi pasur fat që kemi marrë disa masa në fillim duke i mbyllur shkollat që ka pasur efekt. Kjo na ka ndihmuar shumë që të menaxhohet situata më mirë”, ka thënë Vitia.

Ai thotë se kanë marrë shembullin e Austrisë.

“Austria ka qenë më trime në marrjen e masave më radikale qysh në fillim, dhe kjo ka treguar se ka filluar rënia. Ne shpresojmë që nëse respektohen këto mase, deri me datën katër maj do të jemi edhe ne në pozitë të tilla, dhe pas kësaj date të kthehemi në një normalitet të ri. Kjo pasi normalitetin siç e kemi pasur nuk besoj se do ta kemi”, ka thënë ai.

Ai thotë se do të ketë disa faza të kthimit në normalitet të ri.

“Akoma në MSH janë grupet teknike që janë duke punuar në ‘rikthimit të mençur’. Do të jenë disa faza të cilat do të bëhen pas katër majit. Por, të gjitha këto nuk do të mund të themi se mund të fillojnë më katër maj nëse nuk do të respektohen masat e qeverisë. Jemi duke punuar me ministritë e tjera për masat që do të merren për ‘rikthimit të mençur’. Ne jemi në fazat e para të “kthimit të mençur”. Më katër maj besojmë se një pjesë e bizneseve mund të hapen, por që nuk rrezikojnë me përhapjen e sëmundjes e ndoshta më 20 për qind të kapaciteteve”, ka thënë Vitia.

00:32

Vitia: Me masat e reja, i bie që rreth 45 mijë qytetarë në gjithë vendin të jenë në lëvizje

Arben Vitia, ministër në detyrë i Shëndetësisë, ka treguar se masat e tashme për kufizim të lëvizjes po japin efekt.

Vitia në një intervistë në Interaktiv të KTV-së ka treguar për menaxhimin e orarit të lëvizjes së qytetarëve, të cilët sipas vendimit të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, kanë nga 90 minuta kohë për të kryer shërbimet jashtë, gjithnjë duke u bazuar në numrin e parafundit personal.

Ai ka treguar se në bazë të të dhënave, i bie që në çdo kohë të jenë mes 40 mijë deri 45 mijë qytetarë rrugëve në gjithë Kosovën.

“Numri i parafundit e bën saktë ndarjen e numrit të qytetarëve nëpër regjione, pasi shumëkush ka pyetur pse jo numri i fundit. Sipas statistikave, i bie që 40 deri në 45 mijë qytetarë në gjithë territorin e Kosovës të jenë jashtë, që në aspektin epidemiologjik dhe të sigurisë është menaxhueshme”, ka thënë Vitia.

Ai ka folur edhe për kritikat e shumta që ka marrë nga kryetarët e komunave, sipas të cilëve, ata nuk janë konsultuar për masat e fundit rreth lëvizjes së qytetarëve.

Ai shtoi se kryetarët edhe kanë drejtë, por ishte kohë alarmi dhe nuk kishte kohë.

“Të dielën në mbrëmje kemi marrë paralajmërime që situata rrezikon të dalë jashtë kontrollit, kështu që me shpresën se jemi ende në fazën fillestare u desh të merren masa, gjithnjë në konsultim me ekspertët e shumtë. Të dielën u vërtetua se kishim të drejtë me këto masa, pasi dolën 79 raste të reja. Para vendosjes së këtyre masave nuk ka pasur mundësi teknike dhe kohore që të flitet me të gjithë. Kanë pasur të drejtë në reagimin e tyre, por teknikisht nuk kam pasur mundësi, çdo vonesë edhe 1-ditrore, do të mund të ishte tepër vonë”, ka thënë Vitia.

Ministri në detyrë ka folur edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi vendimin e Qeverisë për kufizim të lëvizjes. Sipas ministrit, Gjykata në një formë i dha të drejtë Qeverisë, por gjeti shkelje procedurale, për çka edhe e obligoi Ministrinë e Shëndetësisë të marrë vendime për secilën komunë.

“Janë marrë 38 vendime veç e veç për komuna. Edhe ato komuna që nuk ishin të prekura, kur u vendosën masat, rezultuan rastet e para”, tha ai.

Ai ka treguar se mbledhja e mostrave bëhet nga IKSHPK-ja në gjithë vendin. Ka vende ku ekipet marrin mostra, për arsye të ndryshme dhe ato kryhen në Prishtinë, në Institut.

Vitia ka treguar se këto mostra po merren edhe në veri të Kosovës. Tha se janë qindra mostra të marra në veri dhe në çdo vend tjetër ku ka indikacione epidemiologjike.

Vitia ka folur edhe për komunat më të prekura. Ka thënë se Ministria që udhëheq po mundohet t’i ndihmojë me mjete mbrojtëse dhe gjithçka ka nevojë. Thotë se tash situata me materiale është stabilizuar.

“Në fillim kur kam marrë detyrën më 4 shkurt, realisht rezervat me materiale mbrojtëse dhe produkte tjera kanë qenë zero. Por me një kontratë me 95 mijë euro, pasi nuk kishte as buxhet të aprovuar, u furnizuam. Ka qenë jashtëzakonisht problematik sigurimi i masave mbrojtëse, edhe për punëtorët shëndetësorë. Andaj komunat kanë qenë më të drejtë të brengosura, pasi në fillim nuk kemi pasur mundësi, pos për QKUK-në. Ka pasur raste kur edhe me copë i kemi numëruar. Por fatmirësisht me buxhetin e ndarë, donacionet siguruara, tashmë kemi materiale të mjaftueshme për secilën komunë”, ka thënë Vitia.

23:58

Vitia: Kosova ka vetëm tre mikrobiologë të trajnuar për testet Covid-19

Ministri i Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se Kosova ka mungesa të mëdha në resurset humane në mjekësi, duke theksuar se ka vetëm tre mikrobiologë të trajnuar për të bërë testet për Covid-19.

“Numri i vogël edhe epidemiologëve dhe infektologëve dhe në tri vitet e fundit s’ka pasur asnjë specializim, që në këtë rast janë shtylla kryesore nuk kanë qenë shumë joshëse dhe nuk ka pasur iniciativë për t’u marrë me të. Por, kjo do të na vetëdijësojë. Të gjitha këto teste bëhet nga një grup i ekspertëve në IKSHPK dhe kjo bëhet në bazë të të infektuarve dhe deri më tani s’ka mbetur asnjë pa u testuar”, ka thënë Vitia.

Ai thotë se kapaciteti maksimal është që mund të bëhen deri në 700 teste.

“600-700 teste është kapaciteti maksimal që mund të bëhen testimet. Ndërkohë kanë filluar të marrin edhe ekipe shtesë, sepse janë vetëm tre mikrobiologë që janë të trajnuar për të bërë këto teste në kohë reale. Në kushte normale për të kryer këto trajnime janë 6-12 muaj. Fatkeqësisht duhet ta pranojmë se resurset humane janë këto që janë, dhe shpresoj se kjo do të jetë thirrje alarmi që të zhvillojmë resurset humane në këto sektorë. Testimi për një person kushton diku rreth 25 euro, bashkë me materialin”, ka thënë Vitia.

Ai ka treguar se pse kanë pranuar 1 mijë teste nga Serbia.

“Të mërkurën kam pasur një videokonferencë me homologun nga Serbia, që është organizuar nga ambasada amerikane dhe KFOR-i. E kam pas biseda edhe me atë nga Shqipëria edhe me atë të Maqedonisë Veriore. Ndër të tjera i kam shpreh gatishmërinë që ne do të punojmë që secilin qytetar ta testojmë pa marr parasysh se çfarë etnie ka. Interesimi i tyre ka qenë nëse mund të na ndihmojnë dhe një ofrim i një ndihme të tillë e kam marr si shenjë të mirë që të testohet të gjithë qytetarët dhe ato s’do të jenë vetëm për testimin e qytetarëve serbë. Këtu ndihmesë ka dhënë edhe ministri Jevtiq, i cili ka dhënë ndihmën e tij. Ne kemi quar edhe materiale ndihmëse edhe të tjera në komunat serbe”, ka thënë ai.

Ai thotë se në paketimin e ardhur nga Serbia nuk shkruan asgjë tjetër pos se çfarë përmban paketimi.

“Është një paketim ku shkruhet se çfarë përmbahet brenda dhe nuk shkruan asgjë tjetër. Mirëpo ky është një donacion i bërë nga Republika e Serbisë që i është bërë Republikës së Kosovës. Është vetëm një kuti me përmbajtjen se çfarë ka brenda. Testet janë ardhë në Jarinje dhe më pas janë sjellë në IKSHPK. Ne jemi në një situatë pandemie dhe unë jam ministër i Shëndetësisë dhe në këtë situatë problemet që janë në rajon janë të përbashkëta. Nuk mund të ketë shkëputje. Mbi të gjitha për ne është e rëndësishme jeta dhe ruajtja e jetës së qytetarëve dhe çdo gjë që është në këtë funksion natyrisht se e kemi obligim këtë”, ka thënë Vitia.

Ai ka shtuar ato janë shumë të sigurta.

“Laboratori i Mikrobiologjisë i ka të gjitha masat e sigurisë dhe aty ju garantoj se asnjë gjë e dyshimtë nuk mund të futet, të gjitha testet janë mirë të kontrolluara edhe ato që vijnë nga vendet e tjera”, u shpreh Vitia.

23:34

Vitia thotë se në dispozicion janë 2600 teste për Covid-19

Ministri në detyrë i Shëndetësisë Arben Vitia, duke folur për 480 raste të infektuara me Covid-19 në Kosovë, në Interaktiv të KTV-së tha se situata po menaxhohet.

Ka theksuar, se aktualisht në Kosovë janë në dispozicion 2600 teste për Covid-19. 

“Situata është e menaxhueshme por rastet e reja janë raste të infektuara më herët. Kësisoj, jemi detyruar të marrim masa të reja më rigoroze e strikte, në kuptimin e mbajtjes së distancës sociale që mos të rriten rastet. Nuk e dimë akoma në cilën fazë jemi, por duke parë në vendet tjera, nëse s’marrim masa të vazhdueshme do të hyjmë në një fazë që s’do t’ia doja asnjë vendi, se po të hyjmë në këtë fazë, gjithçka bëhet e pamenaxhueshme”, tha Vitia.

Sipas ministrit Vitia, edhe pse përmirësimi i motit është lajm i mirë, masat në qytete nuk u respektuan dhe nisi relaksimi, që sipas tij, është i panevojshëm.

“Prandaj u detyruam t’i marrim këto masa. Kemi shpresë që pas një kohe të filloj të zbres numri i të infektuarve”, u shpreh Vitia.

Pjesa më e madhe e të infektuarve, tha Vitia, janë në gjendje realitivisht të mirë.

Rreth 100 respiratorë, tha Vitia, janë në dispozicion.

“Në ndërkohë janë edhe 50 respiratorë nga fondet që ka ndarë qeveria për Covid-19. Nga fondet e EU dhe OBSH-së, pritet të vijnë edhe 50 respiratorë. Në fillim të majit do të vijnë edhe disa respiratorë dhe ideja është që t’i kemi diku mbi 250 respiratorë”, tha Vitia.

Ministri në detyrë Vitia tha se “në dispozicion janë rreth 2600 teste”.

“2000 mijë teste vijnë nga një operator ekonomik, deri në 3 mijë teste vijnë nga UNDP”, tha Vitia.

Vitia thotë se 1 mijë teste vijnë nesër në Kosovë.

Shtoi se “në qeveria e Luksemburgut, ka ndarë 2 milionë euro për Kosovën për ta luftuar Covid-19”,

“Këto do të shfrytëzohen për teste”, tha Vitia.