Arbëri

Zyra e Merkelit u përgjigjet shoqatave nga diaspora, kërkon nga politikanët në Kosovë ta kthejnë vëmendjen te pandemia

Descriptive Text

Zyra e kancelares gjermane Angela Merkel, u është përgjigjur 15 shoqatave nga diaspora që i shkruajtën ditë më parë për gjendjen politike mes pandemisë në Kosovë dhe i kërkuan mbështetje.

Zyra e kancelares në letrën që ua ka kthyer shoqatave nga diaspora, të cilën e ka siguruar sërish KOHA, siguron se Gjermania dhe kancelarja Merkel vazhdojnë të jenë të përkushtuara për të ndihmuar Kosovën, si në përballjen e krizës aktuale ashtu edhe për rifillimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë letër i bëhet apel klasës politike në Kosovë për unitet në përballje të kësaj pandemie dhe theksohet rëndësia që “të gjithë akterët e përfshirë ta orientojnë gjithë energjinë e tyre në përballje me këtë situatë të kësaj krizës së re, e cila u shkaktua përmes Covid-19”.

“Pandemia e Covid-19 po vendosë sfida të veçanta për të gjithë ne. Një bashkëpunim i ngushtë ndërkombëtar, veçanërisht mes partnerëve e shteteve mike, është veçanërisht i rëndësishëm në këtë rast. Ne me interes të madh, po i ndjekim zhvillimet aktuale në Kosovë. Nga pikëpamja jonë, është e rëndësishme që të gjithë akterët e përfshirë me gjithë energjinë e tyre të bëjnë gjithçka për të përballuar këtë situatë të re të krizës përmes Covid-19”, thuhet në letrën e zyrës së kancerales, siguruar nga Koha.

LEXO EDHE KËTË: 15 shoqata nga diaspora i shkruajnë letër Merkelit për gjendjen politike mes pandemisë në Kosovë, i kërkojnë mbështetje

Në përgjigjen e Zyrës së kancelares Merkel sigurohet se Gjermania është e përkushtuar për “një bashkëpunim të ngushtë ndërkombëtar, veçanërisht mes partnerëve miq” dhe në bashkëpunim konkret me Bashkimin Evropian, sikurse theksohet mbështetja e fuqishme e Gjermanisë dhe Merkel për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës e Serbisë, i cili duhet të rifillojë pas emërimit të Përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak, vazhdimin e të cilit e vlerëson si thelbësor për zhvillimin e Kosovës.

Aty thuhet se Gjermania dhe Bashkimi Evropian mbështesin Kosovën në luftën kundër pandemisë.

“Kështu Bashkimi Evropian për një afat të shkurtë kohor mbështeti Kosovën me 30 ventilator të frymëmarrjes, 5 ambulanca plotësisht të pajisura për ndihmë të shpejtë si dhe 400 shtretër spitalor. Një vazhdim i suksesshëm i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është thelbësore për zhvillimin e mëtutjeshëm të Kosovës. Ne e përshëndesim faktin që Kosova ka hequr tarifat 100% për mallrat nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina. Tani është e rëndësishme që Përfaqësuesi i ri i Posaçëm i BE, Mirosllav Lajçak së shpejti të mund të hyjë në një dialog me Serbinë dhe Kosovën pa pengesat tregtare tarifore. Gjermania i mbështet fuqishëm përpjekjet e tij”, përfundon letra.

{gallery}