Arbëri

Selmanaj e quan shizofrene politike Pacollin

Deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, që në Interaktiv të KTV-së të mërkurën deklaroi se për 20 vjet në Kosovë kryeministrat kanë shkatërruar sistemin shëndetësor.

Duke folur për këtë temë, Pacolli kishte deklaruar se madje edhe vetë kryeministrat të afërmit e tyre i kishin dërguar për të marrë trajtim mjekësor jashtë vendit. Këtu ka përmendur nënën e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

“Kur minsitri Vitia ka shkuar në Ministri nuk ka pasur masa rezervë. E kur nuk i ke ato rezerva nuk e di se si mund të funksionosh si shtet. Tash më kujtohet se e patëm kundërshtuar kur kryeministri Haradinaj në atë kohë e kishte dërguar nënën e tij për shërim jashtë shtetit, dhe kjo u pat ngritë si dilemë por nuk është diskutuar shumë. Paramendo në një vend evropian kur një kryeministër e dërgon prindin e tij apo veten për shërim jashtë shtetit, e kemi edhe zotin Mustafa që kishte shkuar për shërim jashtë shtetit. Qytetarët nuk e kanë një mundësi të tillë. Ne duhet ta ndryshojmë këtë mendësi”, kishte thënë Pacolli.

Ndaj kësaj deklarate, deputeti Selmanaj ka reaguar ashpër duke e quajtur shizofrene politike e të pashpirt Pacollin.

“Fitore Pacolli... Turp për juve! Kurrë s'e kisha besuar se një deputete e Kosovës, madje që flet shqip, t’ia lejojë vetes të flasë me një urrejtje të paimagjinueshme ndaj Nënës së Luan e Shkëlzen Haradinaj! Nga shizofrenia politike e saj, duke menduar ta “godasë” politikisht Ramush Haradinaj, harron se nëna Rukë, pra Nëna e Ramushit e Dautit, është Nëna fisnike, Nëna shqiptare që lindi e rriti djem kreshnikë si Luan e Shkëlzen Haradinaj, që i zbardhën ftyrën kombit duke e larguar Serbinë nga Kosova! Fitore Pacolli, një femër gjuhëvrerë, pra nuk i mbeti gjë tjetër, vetëm edhe ta përgojojë Nënën, e cila qindra mijëra ushtarë ka pritur e ka përcjellë nëpër beteja, si të ishin bijtë e saj. Nënën e cila dhjetra e qindra plagë ua ka lidhur në luftë, duke filluar prej bijve të saj. Si mundet një femër, ta përgojojë një Nanë, që ka dhënë më të shtrenjtën për këtë vend, që Fitorja "po na mbroka"?!! Jo vetëm turp, po mallkimi i tyre do të bjerë mbi ty, femër e padenjë për atë emër, e pashpirt, gjuhëhelm!” ka shkruar Selmanaj në Facebook.

Ai ka kërkuar nga Vetëvendosje të distancohet nga këto deklarate.

“Subjekti i saj politik, do të duhej që menjëherë të distancohej nga një përgojim i tillë! Ndryshe, ky subjekt, bëhet strehë e fyerjeve të simbolit të Nënës shqiptare ndër vite e shekuj. Këtë kastë dhe këtë mentalitet politik të çoroditur, pa ndjenja njerëzore e kombëtare, duhet ndalur! Tash e përgjithmonë!” ka përfunduar ai.