Arbëri

Thaçi ambasadorëve të QUINT-it dhe BE-së: Qytetarët kanë nevojë për një qeveri me mandat të plotë

Foto nga presidenca

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar të mërkurën me ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, për të diskutuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë.

Siç njofton kumtesa presidenciale, në këtë takim ku të pranishëm ishin ambasadori i SHBA-së, ai i Britanisë së Madhe, i Francës, Gjermanisë dhe Italisë, si dhe Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, presidenti Thaçi i ka falënderuar të gjitha shtetet për përkrahjen që i kanë dhënë Kosovës në përballje me pandeminë e virusit COVID-19 dhe ka shprehur ngushëllime për viktimat në çdo shtet.

“Të gjithë së bashku jemi duke e luftuar pandeminë dhe duhet të bashkëpunojmë të gjithë, në Kosovë, në rajon dhe në botë”, u shpreh Thaçi.

Kumtesa presidenciale thotë se kreu i shtetit foli edhe për zhvillimet politike dhe kërkesat që ia ka drejtuar kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit të kaluar për të propozuar një kandidat për Kryeministër të Kosovës, pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

“Qytetarët e Kosovës kërkojnë dhe kanë nevojë për një qeveri me mandat të plotë, sidomos në rrethanat emergjente të shkaktuara nga pandemia”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai shtoi se “çdo hap që do të ndërmarrë do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, me praktikat e deritashme dhe me vullnetin e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.