Arbëri

Kurti: Pas Pakos Emergjente Fiskale pasohet Pakoja për rimëkëmbjen ekonomike

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, dhe ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi në një konferencë të përbashkët për media diskutuan rreth aspektit ekonomik për përballjen me Covid-19, më konkretisht për Pakon Fiskale Emergjente, transmeton Koha.

Kurti tha se Pakoja Emergjente Fiskale, është dizajnuar për të arritur ndihmë financiare për shtresat më të varfra.

“Më pas të ndihmojë bizneset për mbulimin e shpenzimeve operative. Në këtë mënyrë që bizneset të funksionojnë. Më pas, të stimulohet rritja e aktiviteteteve e të stimulohet punësimi në sektorin privat. Kjo pako s’ka qëllim politikat afatgjate”, tha Kurti.

Masa e parë, sipas Kurtit, është pagesa e dyfishtë e skemës sociale për 3 muaj.

“Pagesa shtesë për 30 euro në muaj për ata që përfitojnë skema sociale, nën 100 euro, dhe atë për 3 muaj”, tha Kurti.

Kurti tha se do të bëhet mbulimi i shpenzimeve për paga në masën e pagës minimale prej 170 euro për 2 muajt e ardhshëm deri në maksimumin e 41 milionë eurove.

Kurti shtoi se pas kësaj Pakoje Fiskale Emergjente, do të pasohet edhe me një pako për rimëkëmbjen ekonomike.

“Jemi të bindur që për fazën emergjente, kjo pako është mjaftueshëm. Edhe po të kemi më shumë para, s’duhet të jenë bosh që në fillim”, tha Kurti.