Kurti në Prizren paralajmëron shtim të masave ndaj koronavirusit

Kurti në Prizren paralajmëron shtim të masave ndaj koronavirusit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka paralajmëruar shtim të masave në betejën e Kosovës me koronavirusin.
Gjatë vizitës në Prizren të enjten, Kurti ka bërë të ditur se është krijuar një grup punues, i cili do të merret detajisht me masat.
“Kemi formuar grup punues në Qeveri që përbëhet prej katër ministrave dhe që do të përcaktojë në hollësi edhe masat, e edhe ndryshimin e tyre sa i përket lëvizjes së qytetarëve në komnuna, varësisht nga gjendja nëpër ato komuna. Nuk do të ketë çlirim të masave, por shtim të tyre”, ka thënë ai.
Këta katër ministra, si ka bërë të ditur Kurti, janë: Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ministri në detyrë i Transportit dhe Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, ministrja në detyrë e Administratës dhe Pushtetit Lokal, Emilja Rexhepi si dhe u.d i ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, transmeton KOHA.
“Këta katër ministra, në krye me ministrin Vitia do të kontaktojnë e bashkëpunojnë me secilën komunë, në mënyrë që masat t’ia përshtasin gjendjes”, ka deklaruar Kurti.
Kurti e ka vizituar Prizrenin, menjëherë pas vizitës së tij në Malishevë. Është pritur nga kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.
Kryeministri në detyrë po ashtu ka deklaruar se nuk do të bëjë dallim gjatë vizitës së komunave.
“Nuk do të bëj dallim të etnisë dhe as të partisë që është në krye të asaj komune”, ka deklaruar ai.
Kurti në Malishevë: Prilli është muaji vendimtar në betejën tonë me koronavirusin
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë gjatë vizitës në Malishevë se në këtë komunë nuk ka ardhur si kryetar i partisë politike dhe se të gjithë duhet të bëhen bashkë, në betejën me koronavirusin. Ai ka ka thënë se prilli është muaji vendimtar në këtë betejë.
“Jemi të gjithë bashkë. Të përqendrohemi në luftimin e kësaj të keqe duke e ditur se nuk kemi përvojë në këso situata, por mendoj që po ia dalim mirë. Veçse prilli është muaji vendimtar”, ka thënë Kurti.
Kurti ka qëndruar në Malishevë paraditen e së enjtes. I shoqëruar nga ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ministrja e Administratës Publike dhe Pushtetit Lokal, Emilja Rexhepi, ai është pritur nga kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.
Begaj, në prononcimin për gazetarë pas takimit me kryeministrin në detyrë ka thënë se Malisheva ndodhet në momentet më të vështira të situatës së lidhur me infektimet.
“Besoj se bashkëpunimi ynë do të rritet dhe se Qeveria e Kosovës do ta ketë një përkujdesje më të madhe për Malishevën. Po pres një përkrahje të fuqishme”, ka thënë ai.
E Kurti ka thënë se Malisheva duhet të ndihmohet nga Qeveria, por se në këtë Komunë duhet të shtohen masat e kufizimit.
“Edhe kufizimet e Kosovës janë të mëdha. E kemi sektorin e shëndetësisë në nivel jo të kënaqshëm dhe popullsinë e varffëer dhe duhet të bashkëpunojmë maksimalisht, në mënyrë që sa më pak të shpërndahet COVID-19. Prandaj, do të na duhet t’i shtojmë masat e kufizimit. Për këtë gjë, kryetari Begaj dhe ministri Vitia do të jenë në kontakt të vazhdueshëm. Ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve t’i kufizojnë lëvizjet dhe të qëndrojnë në shtëpi”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se komuna e Malishevës duhet t’i respektojë të gjitha masat e Qeverisë dhe udhëzimet e ekspertëve, duke paralajmëruar më shumë ndihmë për këtë komunë, por duke kërkuar në të njëjtën kohë masa më rigoroze, “në mënyrë që të mos ketë ngritje më të theksuar të lakores së shpërndarjes”.
“Kjo është e mundshme nëse investojmë dhe angazhojmë maksimalisht në parandalim”, ka thënë ai.
Nga 224 të infektuar në Kosovë, 66 janë nga komuna e Malishevës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Rama takohet me Vuçiqin e Kovaçevskin në Veronë në kuadër të “Ballkanit të Hapur”

Buleshkaj: Vitin e kaluar APK-ja pati rekord të dërgimit të rasteve në Prokurori

24 vjet nga vrasja e 86 civilëve në Kralan të Gjakovës

Sot mbahet marshi për drejtësi

Mot kryesisht i vranët të dielën në Kosovë

Aeroporti detyron nënën vetushqyese që kundërligjshëm të punojë natën

Lista Serbe kërcënon me “kryengritje”

Veprime të zbehta të Qeverisë për ulje të varfërisë

Sveçla: I arrestuari në veri, pjesë aktive e strukturës kriminale

Avokatët: Thaçi e të tjerët duhet të mbrohen në liri

Hiqet dorë nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak
