Arbëri

Koronavirusi shpërfaq problemet e sistemit shëndetësor në Kosovë

Me sistem të brishtë shëndetësor dhe stagnim të reformës shëndetësore Kosova ka gati një muaj që ka filluar luftën me pandeminë globale të njohur si COVID-19.

Mungesa e sigurimeve shëndetësore, mungesa e sistemit informativ shëndetësor, dhe mungesa e specialistëve të fushës së epidemiologjisë, kanë vënë në pah problemet ndër vite të sistemit shëndetësor në vend.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, tha se janë një sërë faktorësh të cilët ndikuan që sektori i shëndetësisë të jetë në këtë situatë në të cilën është sot, raporton KOHA.

E përkundër këtyre problemeve, që ndër vite përcollën sistemin shëndetësor, nënkryetari i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Haxhi Avdyli, tha se institucionet me masat e ndërmarra kanë arritur ta menaxhojnë situatën e krijuar.

Megjithatë, ata që merren me të drejtat e pacientëve konsiderojnë se me këtë sistem shëndetësor Kosova nuk do të mund të përballej me rritje të rasteve të të prekurve me COVID-19.

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë thanë se janë duke e bërë të pamundurën për ta menaxhuar situatën, derisa shtuan se janë të vetëdijshëm për problemet.

Drejtoresha e OBSH-së në Kosovë, Isme Humolli, ditë më parë në emisionin “Desku” të KTV-së kishte thënë se sistemi shëndetësor në vend mbetet i brishtë dhe është në fazë të transicionit, ku kujdesi parësor ende nuk e ka formën e plotë të mjekësisë familjare.

Humolli kishte theksuar se në rastet kur paraqiten emergjenca të tilla dalin në pah më së shumti problemet dhe mangësitë e këtij sistemi shëndetësor.