Arbëri

“Raport” – emisioni i ri në Kohavision

E hënë

20:00

Skema programore e Kohavisionit nga kjo javë sjell edhe një emision të ri televiziv. Nga e hëna, më 6 prill, programit informativ të KTV-së do t’i shtohet edhe emisioni “Raport”.

Ky program do të jetë emision tematik, javor, që ka për qëllim trajtimin e temave pak të diskutuara në Kosovë. Megjithatë, nuk përjashtohen as temat aktuale, dhe pikërisht me trajtimin e pandemisë së COVID-19 do të nisë emisioni i parë të hënën në orën 20:00.

Nën drejtimin e gazetares Arta Avdiu, gjatë një ore emision do të trajtohet ana sociale e përballimit të kosovarëve me pandeminë. Do të ketë disa mysafirë e materiale të ndryshme.

Disa nga zyrtarët komunalë e qeveritarë do të tregojnë për “Raport” se si ata personalisht dhe familjet e tyre po e shfrytëzojnë këtë kohë dhe thirrjet e qëndrimit në shtëpi, si formë e parandalimit të përhapjes së virusit. Në pjesën e dytë të emisionit do të diskutohet për trendin e shtuar global të dhunës në familje në kohën kur bota është izoluar shkaku i pandemisë, dhe nëse kjo e ka prekur edhe Kosovën. Do të ketë edhe këshilla të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për mënyrën e ballafaqimit dhe ruajtjes së shëndetit mendor gjatë pandemisë dhe izolimit.

Ndërkaq adhuruesit e serisë televizive “Poldark”, që shfaqej të hënave në orën 20:00, nga kjo javë do të mund t’i ndjekin episodet e reja të shtunave mbrëma prej orës 23:30.

Episodi i 23-të shpalos ballafaqimin e personazheve Ross dhe Demelza për të harruar të shkuarën dhe rindërtimin e raportit mes tyre, nga ana tjetër derisa Georgei synon Parlamentin, Rossit i jepet një propozim interesant. E ardhmja e familjes Poldark kërcënohet si kurrë më parë. Tash e tutje e hëna mbrëma është e rezervuar për emisionin “Raport”.