Arbëri

Antikorrupsioni trajtoi 168 raste të konfliktit të interesit

Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka trajtuar 168 raste për konflikt të interesit dhe ka bërë një numër të madh të kallëzimeve penale në fushën e deklarimit të pasurisë, konfliktit të interesit dhe në fushën e keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), Shaip Havolli, tha për EO se puna e Agjencisë është e varur prej prokurorisë dhe policisë. “Agjencia ka bërë një numër të madh të kallëzimeve penale në fushën e deklarimit të pasurisë, konfliktit të interesit dhe në fushën e keqpërdorimit të pozitës. Agjencia ka trajtuar 168 raste në aspektin e konflikt të interesit. Puna e Agjencisë është e varur prej prokurorisë dhe policisë. Raportet ekzistojnë të mira dhe kemi takime të rregullta. Një numër të madh të rasteve i kemi dërguar në prokurori. Në shumicën e rasteve kemi informatën kthyese se prokuroritë përkatëse kanë ngritur aktakuza dhe jemi në fazën e pritjes së rezultateve finale të formës së prerë”, u shpreh Havolli.

Ai ka treguar se kanë filluar edhe hartimin e ligjeve mbi Agjencinë dhe deklarimin e prejardhjes së pasurisë për ta luftuar korrupsionin. “Agjencia bën hetime administrative. Ka hyrë në fuqi Ligji i ri për konflikt interesi dhe ai i sinjalizimit. Tani jemi në fazën e hartimit të ligjit mbi agjencinë dhe deklarimin e pasurisë. Do të shohim se cili do të jetë roli i Agjencisë në luftimin dhe parandalimin e korrupsionit”, ka treguar Havolli.

Ai ka shtuar njoftoi se kanë filluar përgatitjet për hartimin e strategjisë nacionale antikorrupsion për vitet 2020-2025. “Kanë filluar përgatitjet për hartimin e strategjisë nacionale antikorrupsion, pasi që Kosova nuk ka as strategji për shkak të problemeve politike, e cila do të jetë 2020-2025”, ka deklaruar Havolli.

Gjatë vitit 2019 AKK-ja ka zhvilluar procedurën e hetimeve paraprake në gjithsej 385 raste, prej të cilave 102 janë bartur nga viti paraprak, kurse gjatë vitit 2019 janë pranuar edhe 283 raste. Numri i përgjithshëm i informacioneve anonime të trajtuara është 35. Gjatë vitit raportues Agjencia ka trajtuar gjithsej 141 raste të iniciuara sipas detyrës zyrtare.