Arbëri

​Mullisët paralajmërojnë pezullimin e prodhimit nëse nuk rikthehet tarifa anti-damping ndaj importuesve

Foto: Ilustrim

Pezullimi i përkohësisht i disa masave tarifore ndaj importit të miellit nga ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike ka ngjallur pakënaqësi tek mullisët e Kosovës. Ata sot nuk kanë ofruar shërbime dhe shitjen e miellit për qytetarët në shenjë proteste ndaj këtij vendimi.

Kjo për arsye se, siç thonë ata, mielli i cili po importohet nga Serbia si i subvencionuar nga ky shtet, ka kosto më të ulët në tregun e Kosovës, dhe kjo bën që mos të shitet mielli që prodhohet në vend.

Kryetari i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, Muhamet Selmani, për KosovaPress ka deklaruar se pezullimi i tarifës anti-damping ndaj importuesve të miellit e bën të pamundur prodhimin e miellit në Kosovës, prandaj ai paralajmëron edhe shuarjen e kësaj industrie në Kosovë nëse nuk tërhiqet ky vendim i MEPTINIS-it.

“Kosto e prodhimit me këto kushte të subvencionimit të miellit nga Serbia, do thotë mielli i Kosovës nuk ka llogari të prodhohet, sepse kostoja e prodhimit do jetë shumë më e lartë sesa importi i këtij mielli që vije nga Serbia. Ky është miell i subvencionuar, duhet ta kuptojnë të gjithë qytetarët. Edhe mielli i prodhuar në Serbi e ka koston diku mbi 30 e diçka cent, mirëpo subvencionohet nga shteti. Si rezultat i kësaj, mullisët e kanë shprehur pakënaqësinë dhe sot kanë mbajtur një protestë njëditore, jo që e kanë ndalur prodhimin, por ata i kanë ndalur shërbimet dhe shitjen e miellit në shenjë proteste dhe kemi pritur që ministria të reflektojë sot” , thotë Selmani.

Kreu i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës deklaron se mullisët nuk do kenë mundësi të shesin asnjë kilogram nëse nuk reflekton ministria.

“Nëse nuk reflekton ministria, mund të them me përgjegjësinë e plotë, se industria e miellit në Kosovë nuk do të ekzistojë për arsye se nuk ka logjikë dhe nuk ka arsye të prodhimit të 1 kilogram mielli brenda territorit të Kosovës nga mullisët të cilët tani funksionojnë në Kosovë. Nëse kjo taksë nuk do të hiqet, prodhimi i miellit do bëhet i pamundur, deshën apo nuk deshën mullisët të prodhojnë apo jo, ata nuk mund të prodhojnë sepse kostoja e prodhimit të miellit të tyre do jetë shumë e lartë dhe ata nuk do mund ta shesin asnjë kilogram. Për arsye se mielli që do importohet i subvencionuar me 80 dollarë (nga shteti serb) do jetë shumë më i lirë”, tha ai.

Selmani tha se gjatë ditës së djeshme kanë zhvilluar takim me zëvendëskryeministrin në detyrë të Kosovës, Haki Abazi, dhe me ministren e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, ku janë njoftuar se do të rishikohet vendimi i 30 marsit, i cili ka pezulluar përkohësisht disa masa tarifore ndaj importit të miellit.

Ai ka njoftuar po ashtu se Kosova ka sasi të mjaftueshme të miellit dhe nuk ka rrezik për krizë për këtë produkt, ndonëse “jemi në kohë pandemie dhe fluksi i qytetarëve të t’u pajisur me miell është i madh”.

Sipas tij, që nga dita kur është shpallur gjendja emergjente e shëndetësisë në vend për shkak të COVID 19, rreth 20 mijë ton grurë dhe miell janë importuar në Kosovë, sasi kjo e cila, sipas tij, i tejkalon nevojat e konsumit ditor për 40 për qind.

“Në Kosovë ka sasi të mjaftueshme të miellit, nuk ka krizë për miell, ka pasur kërkesa enorme për të dhe si rezultat i kësaj, mullisët nuk kanë pasur mundësi të prodhojnë sasi më të madhe të miellit, ndonëse kanë punuar në tri ndërrime. Por kërkesa ka qenë jashtëzakonisht e madhe për arsye të frikës dhe panikut të shpërndarë. Tani kjo frikë ka kaluar dhe tani në çdo shitore dhe supermarket dhe furrë, në çdo mulli, ka sasi të mjaftueshme të miellit dhe çdo qytetar mund të furnizohet. Për këtë arsye e kemi njoftuar edhe ministren dhe kemi kërkuar që kjo taksë të pezullohet sepse nuk është arsye mungesa e miellit, sepse miell ka dhe do ketë mjaftueshëm”, theksoi Selmani.

Vendimi i marrë më 19 tetor 2017 nga Qeveria Haradinaj, ka përcaktuar taksën prej 4 centë për kilogram për importuesit e miellit nga Serbia në Kosovë për shkak të dyshimeve se ky produkt po hyn në Kosovë me çmime dumping apo nën koston e prodhimit.