21:30

​Edhe Franca mirëpret heqjen e taksës, kërkon rifillimin e dialogut

Edhe Franca i është bashkëngjitur qëndrimit të Gjermanisë, i publikuar pak kohë më parë nga ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ambasada e Francës ka publikuar të njëjtin qëndrim sikurse të Gjermanisë, duke e mirëpritur vendimin e Qeverisë në detyrë të Kosovës për heqjen e plotë të tarifave ndaj produkteve të Serbisë dhe të Bosnjës.

21:28

Italia i bashkohet Gjermanisë, mirëpret heqjen e tarifës dhe shpreson në rinisjen e dialogut

Ambasadori i Italisë në Prishtinë, Nicola Orlando, ka mirëpritur heqjen e tarifës ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.

Në një postim në Twitter, ai ka thënë se Italia mirëpret këtë vendim të Qeverisë.

Më herët, edhe Ambasada e Gjermanisë përshëndeti vendimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti për heqje të tarifës ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës.

Vendimi është futur në fuqi sot.

“Italia mirëpret heqjen e tarifave nga ana e Kosovës. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja tani duhet të rifillojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Të gjitha çështjet në pritje me Serbinë duhet të adresohen brenda kësaj kornize. Lufta kundër koronavirusit kërkon përpjekje dhe bashkëpunim të përbashkët”, ka shkruat diplomati italian në Twitter.

20:39

Ambasadori gjerman mirëpret heqjen e taksës, kërkon rindërtim të besimit për vazhdimin e dialogut

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, ka thënë se vendi i tij mirëpret vendimin e Qeverisë në detyrë të Kosovës për të hequr plotësisht tarifat ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Përmes disa postimeve në Twitter, diplomati gjerman thotë se ky vendim është parakusht i rëndësishëm për rifillimin e dialogut për normalizim të raporteve me Serbinë.

“Tani kanë për të detyrë të rindërtojnë besimin gradualisht që procesi i udhëhequr nga BE-ja të nis shpejt”, tha ndër të tjera Heldt, duke shtuar se ankesat ekzistuese si barrierat jo-tarifore duhet të zgjidhen nga Kosova dhe Serbia brenda kornizës ekzistuese të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

“BE-ja ka ofruar këtu mbështetje e cila duhet të shfrytëzohet për të krijuar mundësi të barabarta për mallrat nga të dyja palët tani. Të gjitha vendet, sikurse edhe Kosova e Serbia, po përballen me sfidën e pashembullt me koronavirusin. Kjo nuk është kohë për manovra politike, por për t’u përqendruar në tejkalimin e krizës shëndetësore për popullatën”, ka thënë diplomati gjerman, ndërsa ka theksuar se “bashkëpunimi rajonal është i një rëndësie të madhe në këtë kontekst”.

Sot ka hyrë në fuqi vendimi i Qeverisë në detyrë të Kosovës për heqjen e taksës dhe vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë.

13:47

Ambasada e SHBA-së kundër reciprocitetit të Qeverisë: Këto masa krijojnë probleme

Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka reaguar të mërkuren, pas hyrjes në fuqi të vendimit të Qeverisë së Kosovës për heqjen e tarifave dhe zëvendësimin e tyre me reciprocitet. Sipas saj, SHBA-ja ka qenë e qartë rreth heqjes së të gjitha tarifave.

“Shtetet e Bashkuara ishin të qarta se Kosova duhet t’i heqë të gjitha tarifat dhe të mos krijojë barriera të reja sepse këto politika lëndojnë njerëzit e Kosovës dhe e ngulfatin ekonominë e vetë Kosovës”, shkruan në njoftimin e kësaj ambasade, transmeton KOHA.

Më tutje, ajo e ka ritheksuar kundërshtimin e saj për reciprocitetin.

“Mbesim në kundërshtim të veprimit të fundit për zbatimin e masave të reciprocitetit ndaj qarkullimit të mallrave nga Serbia. Këto masa krijojnë më shumë probleme në kohën kur SHBA-të besojnë se marrëveshjet për linjë ajrore, hekurudhore, dhe për autostradë, të arritura mes të dyja palëve, do të rrisin zhvillimin ekonomik kur ato të zbatohen, dhe do të krijojnë kushtet e nevojshme për dialog të suksesshëm”, shkruan në njoftim.

13:23

Varhelyi: Heqja e tarifave, esenciale për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi e ka përshëndetur vendimin e Qeverisë në detyrë të Kosovës për heqjen e tarifave, duke e quajtur esencial për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

“Përshëndes vendimin e Qeverisë në detyrë të Kosovës për heqjen e tarifave për mallrat nga Serbia dhe Bosnja – esencial për vazhdimin e dialogut me Serbinë”, shkruan ai në Twitter, transmeton KOHA.

Ai e ka përmendur në vazhdim edhe bashkëpunimin rajonal.

“Të gjitha barrierat tregtare duhet të hiqen - bashkëpunimi rajonal është çelës dhe i domosdoshëm edhe për luftimin e përhapjes së koronavirusit”, shkruan ai.

 

 

 

 

11:20

Apostolova: BE-ja mirëpret vendimin e qeverisë për të hequr tarifat

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalyia Apostolova ka thënë sot se marrëdhëniet e mira midis fqinjëve janë thelbësore për të luftuar pandeminë COVID-19.

Apostolova në një postim në Twitter duke iu referuar heqjes së taksës ndaj produkteve të Serbisë, ka shpërndarë edhe deklaratën e përfaqësuesit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrel, i cili ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e taksës.

“Marrëdhëniet e mira midis fqinjëve janë thelbësore për të luftuar pandeminë # COVID-19. Deklarata nga Josep Borrell, që mirëpret vendimin e qeverisë së Kosovës për të hequr tarifat për mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina”, shkruan Apostolova.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për largimin e taksës dhe vendosjen graduale të reciprocitetit.

Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell ka mirëpritur largimin e taksës ndaj produkteve të Serbisë.

10:05

Judah: Tarifa hiqet për t’u zëvendësuar me diçka që e barazon raportin Kosovë-Serbi

Analisti britanik dhe njohësi i rrjedhave në Ballkan, Tim Judah ka reaguar pas hyrjes në fuqi të vendimit për heqjen e tarifave mbi mallrat me origjinë serbe dhe boshnjake, si dhe zëvendësimin e tyre me reciprocitet.

“Çfarë nënkupton saktësisht reciprociteti? Duket se nënkupton zëvendësimin e barrierave jotarifore, të cilat i përdor Serbia për t’i ndaluar në mënyrë efektive mallrat e Kosovës. Pra, tarifa hiqet, vetëm për t’u zëvendësuar me diçka tjetër që e barazon raportin”, shkruan Judah në Tëitter, transmeton KOHA.

Mesnatën e së mërkures, ka hyrë në fuqi vendimi i Qeverisë në detyrë të Kosovës, për heqjen e tarifës prej 100 për qind në produktet serbe dhe boshnjake dhe zëvendësimi i saj me reciprocitet. Qeveria, si është bërë e ditur, ka vënë masat e reciprocitetit me Serbinë, por jo edhe Bosnjën.