Arbëri

Sindikatat shëndetësore reagojnë ndaj Kushtetueses lidhur me vendimin për Ligjin e Pagave

Descriptive Text

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shtyrjen e pezullimit të vendimit për Ligjin e Pagave.

Këtë vendim, të cilin Gjykata Kushtetuese e bëri të ditur të martën, FSShK-ja e ka quajtur të turpshëm dhe degradues për punonjësit shëndetësorë.

“Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës shpreh pakënaqësinë e saj me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese për vazhdimin e afatit të masës së përkohshme për Ligjin e Pagave deri më 30 Qershor 2020. Turp, ofendim, degradim, në këtë kohë të kësaj lufte globale merren vendime pikërisht kundër heronjve dhe nga kush...institucioni më i lartë i drejtësisë .Provokohet situata mu në kohën kur neve mendojmë për shëndetin e popullatës e disa të tjerë po mendojnë për kolltuqet e buta dhe pagat e tyre marramendëse”, thuhet në reagimin e FSSHK-së, raporton KP-ja.

“Apo ndoshta po pritni të ju themi ne nuk punojmë më. Jo gabim e keni, ne me popullin jemi dhe do të jemi, e ju nuk e di me kë”.

FSSHK-ja ka njoftuar se do të presë fundin e kësaj pandemie të koronavirusit e më pas do të shohë se çfarë masa do të marrë.